Ardian Halili është emëruar në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Durrësit pas shkarkimit të Artur Çelës nga kryebashkiaku Vangjush Dako.

Edhe disa punonjës të kësaj strukture janë shkarkuar duke u zëvendësuar me të tjerë.

Para një muaji, Prokuroria e Shkallës së parë në Durrës nisi hetimet për kryeinspektorin e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik pranë Bashkisë Durrës, Artur Çela i cili akuzohet për shpërdorim të detyrës.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se Çela nuk ka zbatuar ligjin mbi prishjen e një objekti pa leje në lagjen 17 të qytetit, duke e favorizuar personin në fjalë, ndërsa denoncimi i bërë në drejtim të tij, ka bërë që të nisë procedim penal ndaj tij në gjendje të lirë. Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo materiale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.

Halili vjen nga fusha e avokatisë. Pas konkurrimit që u hap për kreun e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Halili u rendit i pari në konkurs.

K.H.