Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump, ka komentuar momentin viral të bisedës së tij me Barack Obamën, në funeralin e ish-presidentit amerikan, Jimmy Carter.
Trump u pyet nga një gazetar në lidhje me videot që kanë bërë xhiron e internetit orët e fundit dhe tregojnë atë dhe Obamën, të ulur krah për krah në funeral, duke biseduar dhe duke buzëqeshur.
Atmosfera veçanërisht miqësore e bisedës së regjistruar nga kamera me ish-presidentin demokrat bëri bujë, pasi marrëdhëniet mes dy politikanëve nuk kanë qenë asnjëherë të ngrohta, ndërkohë që disa herë ata kanë bërë edhe deklarata të ashpra për njëri-tjetrin.
“Nuk e kuptova se sa miqësore dukej biseda”, tha Trump nga rezidenca e tij në Mar A Lago, Florida.
Në përgjigje të pyetjes së një gazetari, ai ka treguar se edhe atij i ka bërë përshtypje kur i ka parë pamjet.
“Po mendoja se dukemi si njerëz që pëlqejnë njëri-tjetrin. Dhe ndoshta kjo është e vërtetë. Ne kemi filozofi paksa të ndryshme, por ndoshta na pëlqen njëri-tjetri, nuk e di. Po kalonim mirë. Por gjithsesi kam shkuar mirë pothuajse me të gjithë”, tha Trump.
‘WE GOT ALONG’: President-elect Trump tells FOX News' Peter Doocy @pdoocy about his conversation with former President Obama at the funeral for former President Carter. pic.twitter.com/5cCOTNRt3K
— Fox News (@FoxNews) January 10, 2025
Presidenti i zgjedhur republikan refuzoi të zbulojë përmbajtjen e bisedës së tij me Obamën, ndërsa pala e ish-presidentit demokrat nuk i është përgjigjur ende pyetjeve të gazetarëve.
Kjo sigurisht nuk i pengoi disa media amerikane që të përpiqeshin të zbulonin se për çfarë po flisnin ata në funeral, duke përdorur metoda si leximi i buzëve.
Sipas një eksperti të New York Post, pavarësisht gjuhës miqësore të trupit, buzëqeshjeve dhe batutave, biseda mes Trump dhe Obamës kishte një anë serioze, pasi Trump i kërkoi Obamë që më vonë të gjente një vend të qetë për të diskutuar një çështje e rëndësishme.
“Më telefononi më vonë, në holl”, tha fillimisht Trump, ndërsa Obama u shfaq duke i kërkuar që t’i tregonte atë që donte.
“Nuk mund të flas tani, duhet të gjejmë një vend të qetë. Është e rëndësishme, duhet të flasim jashtë”, vazhdon republikani, ndërsa Obama tundi kokën.
Ndonëse nuk dihet se çfarë ishte kjo çështje, detajet e zbuluara nga eksperti i fjalëve të gojës Jeremy Freeman “tregojnë” se mund të jetë një çështje ndërkombëtare.
Në një moment, Trump u përkul në anën e Obamës dhe tha: “Jam tërhequr nga kjo. Problemi janë kushtet. A mund ta imagjinoni këtë?’
Siç kujton gazeta e Nju Jorkut, gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e Iranit e vitit 2015 dhe Marrëveshja e Parisit për Klimën e vitit 2016, megjithëse është e paqartë nëse biseda me Obamën ishte për ndonjë nga këto tema.
Sipas Freeman, Obama qeshi kur Trump i tha “atëherë, do ta bëj”, dhe më pas kamera ndaloi regjistrimin e tyre.