20 korrik 2015 –  Një gjigant luksi i batuar anash, francezët vështrojnë sa të mahnitur aq dhe të tmerruar “Vaterlonë” meteorologjike afër Marsejës, më 28 tetor 2012. Trageti luksoz “Napoléon Bonaparte” kishte kushtuar “sa frëngu pulën”: 168 milionë euro, kur u lëshua për lundrim nga kantieret e njohura franceze me famë botërore të Stx France Nantes Saint Nazaire, në prill 1996.

E megjithatë natën e më 28 tetorit 2012 nuk përballoi dot vorbullat e erës në jug të Francës, në brigjet afër Bush-dy-Ron-it (Bouches-du-Rhône), ku pësoi dëmtime të rënda dhe u rimorkiua për në Marsejë. Ngjarja mori përmasa ndërkombëtare. Pronarët francezë të tragetit as që morën mundimin ta riparojnë dhe ua shitën italianëve, në vitin 2014. GNV-ja, mendoi t’ia hiqte emrin “Napoléon”, që dikur kishte pushtuar Apeninet dhe e  pagëzuan me një term muzikor : “Rhapsodie”. E blenë “falë”: 7 milionë euro dhe u çuan napoletanëve për riparim kapital.

Pa dyshuar në aftësitë e mekanikëve të shkëlqyer italianë, në sigurinë që jep shoqëria klasifikuese (regjistri detar) BUREAU VERITAS, fakti që francezët ruajnë lëkurën, mbetet pyetja nëse tekat e motit në Adriatik mund të cenojnë sërish tragetin. Për më tepër që kompania elitare GNV, që më 31 korrik 2015, nis udhëtimet në linjën Bari-Durrës-Bari. Vërtet, kushtet do të jenë ku e ku më të mira se në tragetete tjera të linjave të Adriatikut. Vërtet, çmimet e udhëtimit do të ulen. Vërtet, Roma dhe Tirana zyrtare kanë respekt për GNV-në dhe “Rhapsody”-në e regjistruar në Maltë…

Shpresohet që të mos përsëritet kjo pamje e frikshme trageti e Marsejës, tani në Durrës apo Bari. Jo për gjë tjetër: Adriatiku është i pabesë, kurse “Napoléon”-i ka pasur “qimen e derrit”: në vitin 2008 u karambolua me ca “plagë”!

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/