DURRËS, 15 korrik 2013 – Shthurja e plotë e administratës publike (ujësjellës-kanalizime, komunë, bashki, qark, institucion prefekti, shëndetësi, agjenci turizmi dhe mjedisi) shfaqet në “sabotimin” që i bëhet sezonit turistik, sikurse dëshmohet në këtë foto-fakt të datës 15 korrik 2013.

Duke udhëtuar në drejtim të Kavajës, “Dyrrah”-u, ka fiksuar dukurinë e shëmtuar të derdhjes së ujërave në autostradë me tubacion të posaçëm (foto 1, 2, 3).

Pamjet janë fiksuar te Shkëmbi i Kavajës (në kufirin ndarës mes komunës së Rrashbullit të qarkut të Durrësit dhe komunës së Golemit të qarkut të Tiranës, para viteve 1990 territore të ish-rrethit të Durrësit).

Plehra buzë rrugës duken dhe në territorin e komunës së Golemit.

Operatorët turistikë, ndoshta, nga halli, nuk dëshirojnë të derdhin ujëra të zeza në det, por harrojnë se njëlloj dëmtojnë imazhin e tyre kur ato i derdhin në autostradë.

Rreziku i epidemive është i dukshëm.

Tre vjet më parë, në gusht 2010, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave bëri një shou për higjienizimin e zonës.

Drejtuesit e dikasterit pohonin se higjiena në Shkëmbin e Kavajës dhe Malin e Robit është më e mirë pas bllokimit të derdhjes së ujerave të zeza në det: “Zona që cilësohej si njollë e zezë në listën e brigjeve shqiptare nuk ekziston më. Në të gjithë segmentin nga Shkëmbi i Kavajës, Golem dhe Mali i Robit nuk ka as edhe një tubacion të vetëm që shkarkon ujëra të zeza në det”.

Gjatë inspektimit në plazhin e Golemit për situatën mjedisore, nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit, kanë rezultuar 12 lidhje tubacionesh që derdhen në det, ndërsa ka vijuar puna për bllokimin e tyre.

Tani ujërat e zeza derdhen në autostradë!

“Dyrrah”-u boton fotot e 15 korrikut 2013 dhe fotot e “aksionit” më 13 gusht 2010.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/