Në gërmimet arkeologjike te Forumi Bizantin kanë filluar që të dalin në dritë objekte të vlefshme.
Siç edhe kemi njoftuar më parë, në Forumin Bizantin të njohur si Rotonda, që i përket sipas specialistëve të arkeologjisë shekujve të V-të dhe të VI-të pas Krishtit, kanë filluar gërmime arkeologjike për sondazh nga një ekip i përbashkët arkeologësh shqiptaro-francezë.
Gërmimet kanë nisur 2 javë më parë dhe pas pak ditësh kanë filluar të dalin në dritë objekte që i përkasin një civilizimi më të vjetër se ai bizantin të identifikuar me traktate muresh romane si dhe objekte të ndryshme.
Sipas burimeve të mirëbesuara, specialistët kanë konstatuar se janë zbuluar fragmente muresh që i përkasin shtresëzimit të periudhës romane. Këto mure janë në një nivel me objektin e termave romane të zbuluara poshtë ndërtesës së Teatrit “Aleksander Moisiu” të Durrësit.
Ditën e premte më datën 8 qershor, kanë dalë në dritë edhe objekte të rëndësishme me vlera studimore, si një vazo e madhe e cila prej specilisteve të arkeologjisë, ka pasur dimensione të përafërta me 50 cm lartësi si dhe 40 m gjërësi. Sipas tyre ka gjasa që të jetë vazo funerare. Po ashtu ka pasur edhe gjetje fragmentesh të objekteve të ndryshme të jetës së përditëshme në antikitet.
Gërmimet vijojnë dhe deri në përfundim të tyre do mbetemi në pritje të suprizave të reja nga kjo fushë interesante për të cilën edhe vëmëndja e opinionit qytetar durrsak është mjaft e ndjeshme.
K.H.





