Në foto është Fluturim Çuku, 41-vjeçari që vari veten dy ditë më parë si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomike, papunësisë dhe borxhit prej 60 mijë lekësh për mospagesën e energjisë.
Baba i tre fëmijëve, me një grua të sëmurë dhe nënë të moshuar e njëherësh të sëmurë, pa asnjë lloj mundësie punësimi, debitor ndaj OSHEE-së, pasi nuk i ka paguar energjinë që ka konsumuar, e njëherësh pa energji prej dy muajsh, pasi nuk kishte larë borxhin ndaj shtetit, vendos të iki nga kjo jetë. Ngjarja ndodhi në fshatin Sutaj të komunës Rrajcë të Librazhdit. Shekulli shkruan sot me detaje historinë e familjes Çuku.
Fluturim Çuku ishte babai i dy djemve 13 e 11 vjeç dhe i një vajze 9 vjeç. Që të tre fëmijët shkonin në shkollë, dhe sipas të dhënave shkonin me lekët që iu falnin të tjerët, pasi familja e tyre e kishte të pamundur të mundësonte as blerjen e librave apo të gjërave që iu duheshin. Fluturimi ishte i papunë dhe prej kohësh ikte duke kërkuar punë në Maqedoni. Por muajve të fundit nuk ka gjetur punë e për pasojë ka qëndruar në shtëpi. Siç kanë treguar fëmijët nëpër njerëz të fshatit, të cilët iu falnin ndonjë lekë të blinin bukën, Fluturimi kohët e fundit kishte nisur të shfaqte probleme me dhimbjen e kokës. Prej dy muajve në shtëpinë e tij nuk kishte patur as energji elektrike, pasi OSHEE-ja iu kishte dërguar edhe gjobën prej 60 mijë lekëve, për shkak se familja Çuku nuk i kishte paguar sipas rregullave e për pasojë ata në të gjithë këtë kohë duhej ta kalonin edhe në errësirë. Janë të dhëna që flasin, që prej më shumë se një viti, kësaj familjeje iu kishin prerë edhe ndihmat ekonomike, çka ka vështirësuar së tepërmi mundësinë që Fluturimi të blinte ilaçet për bashkëshorten e sëmurë.
Trupi i pajetë është zbuluar nga fëmijët e tij mëngjesin e së shtunës, por sapo në qytet ka shkuar lajmi i vetëflijimit të tij shtëpinë e mortit është kthyer energjia elektrike.





