Në katin e katërt të një pallati parafabrikat banojnë prindërit e Gazmend Çollakut, 34-vjeçarit nga Durrësi që u rrëmbye dhe u ekzekutua pak ditë më parë. Nëna e tij deklaroi disa ditë më parë, se ata bëjnë një jetë tepër të thjeshtë, dhe pohoi se djali i saj nuk ishte marrë me trafik droge. Ndërsa vetë Çollaku jetonte i ndarë nga familja në katin e 11-të të një pallati firme në lagjen nr. 6 të Durrësit.
Në kontrast me kushtet ku jeton familja, Gazmend Çollaku bënte një jetë luksoze, siç e tregonte dhe vetë me këto foto të postuara në Facebook.
Çollaku kishte në pronësi makina të shtrenjta, të cilat sipas publikimeve dhe komenteve në rrjete sociale i ndryshonte shumë shpesh. Ai gjithashtu ishte pronar dhe i një skafi, të cilin rezulton ta ketë blerë në fillim të vitit 2014. Në çdo foto evidentohen orët dhe veshjet e shtrenjta.
Gazmend Çollaku u rrëmbye mbrëmjen e 6 janarit pranë një lokali në vendin e quajtur dy kullat në Durrës, dhe u gjet të nesërmen i vrarë me 5 plumba në kokë në fshatin Murqin të Krujës. Pavarësisht intensitetit të lartë të hetimeve, policia nuk ka rënë ende në gjurmët e autorëve të krimit.





