Vladimir Topjana, 43-vjeç, u qëllua mbrëmjen e djeshme për vdekje me armë zjarri, pranë një lokali ku kishte dalë të shihte një ndeshje futbolli me djalin e tij.
Topjana, personi në foton e mëposhtme, po bisedonte me një të afërm, kur një Audi i bardhë ka ndaluar pranë tyre.
Vladimir Topjana
Personat që zbritën nga Audi kanë debatuar fillimisht me viktimën. Debati me tone të larta ka tërhequr vëmendjen e disa klientëve të lokalit pranë, të cilët tentuan t’i qetësojnë, por pa sukses. Më pas, shqiptarët kanë lëvizur në një hapësirë mes dy bizneseve, ku debati u agravua në vrasje. Në një moment një prej tyre ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar tre herë. Një nga plumbat e ka kapur Topjanën në kokë duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Policia italiane njoftoi se pranë vendit të ngjarjes ka qenë kunati i tij, i cili fillimisht nuk ka kuptuar se çfarë po ndodhte. Pak pas tij ka mbërritur edhe djali i viktimës. 43-vjeçari, raportohet se e frekuentonte shpesh zonën pasi kishte disa të afërm që jetonin aty. Autori 30-vjeç, u arrestua pak orë pas ngjarjes, ndonëse pas vrasjes u arratis nga vendngjarja. Ende nuk dihen shkaqet e debatit mes tyre që përfundoi në vrasje.