33-vjeçares Manjola Cuku, e cila u vra nga bashkëshorti Lulzimi në banesën e tyre në Durrës, i është dhënë lamtumira e fundit në fshatin Sopot të Bulqizës.
Të afërm të viktimës, banorë të zonës dhe qytetarë të shumtë kanë ngushëlluar familjen e Manjolës ndërsa kërkojnë ndëshkimin maksimal për autorin.
Panorama shkruan se nuset e dajave të 33-vjeçares kanë thënë se dhimbja është shumë e madhe, sidomos për babanë dhe nënën e vajzës së vrarë.
“Nuk kemi fjalë për të përshkruar dhimbjen e madhe. Ne jemi nuset e dajave të Manjolës dhe ndiejmë dhimbje pa fund. Akoma më e madhe është dhimbja për dy prindërit e vajzës. Ata janë një familje shumë e mirë këtu në Sopot. Kanë jetuar në kushte të vështira. Kjo ngjarje nuk duhej të kishte ndodhur. Shteti duhet t’i ndëshkojë rëndë autorët e ngjarjeve të tilla”, tha njëra nga gratë e prononcuara për krimin brenda familjes.
“Burrat e sotëm duhet të jenë më të vendosur dhe ta mbajnë familjen afër. Nuk është punë kjo që burri livadhis brenda e jashtë vendit dhe pastaj vjen e akuzon gruan për tradhti. Nëse burri ka dyshime për gruan ta marrë me vete aty ku emigron, ta mbajë familjen e bashkuar. Ngjarje si kjo kanë tronditur jo vetëm Durrësin e Dibrën, por gjithë Shqipërinë”, ka thënë një tjetër e afërme që merrte pjesë në ceremoninë mortore.
Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën që lamë në zonën e Xhafzotajt, pas një debati për motive xhelozie mes Manjolës dhe Lulzimit. Ky i fundit, goditi 3 herë me thikë gruan në sy të tre fëmijëve të mitur, dhe më pas u arratis drejt vendlindjes, për tu dorëzuar mesditën e të dielës në Komisariatin e Matit.





