Familjarët e Albi Lukës, 18-vjeçarit që u vetëhelmua në burgun e Shënkollit dy ditë më parë, hedhin dyshime se ai mund të jetë vrarë nga persona të tjerë.

Dyshimet e tyre mbështeten te disa shenja dhune që kanë konstatuar në kokën e të riut pas tërheqjes së trupit të pajetë nga morgu.

Njerku i 18-vjeçarit, Ardian Korra, thotë se kur tërhoqën trupin e tij konstatuan shenjat dyshuese. Sipas tij, Albi Luka është vrarë nga persona të tjerë në burgun e Shënkollit, ku vuante dënimin prej një muaji në ambientet e paraburgimit, pasi ishte arrestuar për vjedhje, shkruan “Panorama”.

Korra tregon se kishte biseduar në telefon vetëm 3 orë para ngjarjes me 18-vjeçarin dhe mohon pretendimet e policisë se ai ishte i ngarkuar psikologjikisht kohët e fundit.

“Albi nuk kishte se pse të vriste veten. Ndryshe nga policia, ne si familjarë nuk kemi konstatuar se Albi ishte i rënduar nga ana psikologjike, teksa qëndronte në ambientet e paraburgimit në pritje të dënimit nga gjykata. Ai akuzohej për vjedhje. Tri-katër orë përpara se të ndodhte ngjarja kam kontaktuar me të dhe nuk kuptova asnjë shqetësim. Na thanë se i dha fund jetës duke u vetëhelmuar me gaz, pasi nuk duronte dot izolimin, por ne konstatuam dëmtime në kokë dhe mendojmë se Albi është vrarë, nuk është vetëvrarë”, tregon njerku i 18-vjeçarit, ndërsa kërkon zbardhjen e së vërtetës, shkruan “Panorama”.

Në lidhje me ngjarjen kanë nisur hetimet, ndërkohë dyshimet janë se i riu mund t’i ketë dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar me gaz të lëngshëm brenda ambienteve të qelisë.

Gjithsesi do të jetë ekspertiza mjekoligjore, e cila do të zbardhë shkaqet e vdekjes së 18-vjeçarit.

Ai mësohet se ishte arrestuar një muaj më parë nga Policia e Krujës për veprën penale të vjedhjes dhe ishte në pritje të dënimit nga gjykata, shkruan “Panorama”.

“Paraprakisht dyshohet se 18-vjeçari ka qenë në kushtet e tronditjes së fortë psikologjike në momentin e kryerjes së aktit vetëvrasës, për shkak se ai nuk e ka përballuar dot izolimin.

Frika se gjykata do ta dënonte, ka bërë që 18-vjeçari të shfaqte shenja të depresionit, çka sipas burimeve është konfirmuar edhe nga persona të tjerë që kanë qenë në kontakt ditët e fundit me të. Ai është vetëhelmuar me gaz të lëngshëm brenda ambienteve të qelisë”, thanë burime nga Policia, e cila shton se Albi Luka nga Fushë- Kruja u gjet pa ndjenja brenda ambienteve të qelisë së burgut.

Kanë qenë gardianët, të cilët konstatuan ngjarjen dhe më pas ai është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Lezhës, por bluzat e bardha bënë të ditur se ai mbërriti pa shenja jete.

Ndërkohë, policia konfirmoi se është duke hetuar për të përcaktuar shkakun e kësaj ngjarjeje.

/Panorama/