“DurrësLajm” publikon fotot e gjyshes nga Durrësi dhe nipit të saj, i cili e vrau në banesën ku jetonin së bashku.
Këta që shihni janë Floresha Shkurti, viktima 81-vjeçare që humbi jetën si pasojë e goditjeve me thikë nga dora e nipit të saj 21-vjeçar, Redmon Gruda.
Ky i fundit pasi pranoi autorësinë e krimit mbrëmjen e djeshme, u vu në pranga nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës.
“DurrësLajm” sakaq mëson detaje të reja nga dëshmia e tij para uniformave blu. Ai ka deklaruar që gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër, ndërsa pavarësisht se jetonin në të njëjtën banesë me gjyshen, kishin ekonomi më vete dhe gatuanin secili më vete.
Kështu, dyshohet se ai e ka goditur disa herë në kokë me majën e një thike, dhe gjyshja ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Sipas të njëjtave burimeve, mësohet se ai më pas ka telefonuar mamanë e tij, e cila punon në një resort në zonën e Plepave.
Fillimisht, ai ka tentuar të fshehë gjurmët e krimit, duke u larë dhe ndërruar rrobat që kishte gjatë kohës kur kishte kryer vrasjen në banesë.
Dyshimet e grupit hetimor dhe uniformave blu se pas këtij rasti fshihej nipi, ishin që prej zbulimit të ngjarjes, por ai nuk ka pranuar të flasë. Deri kur në mbrëmje, e ka pohuar para prokurorit Pal Decolli autorësinë e krimit.
Nipi tashmë do të përballet me drejtësinë nën akuzën e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c të Kodit Penal.





