Durrës, 29 qershor 2013, “politizimi” i rrugës (foto: Gëzim Kabashi)

DURRËS, 29 qershor 2013 –Ende me inerci partiake qendra më e madhe turistike e Shqipërisë, kjo foto e 29 qershorit 2013 në ish-Rrugën Tregtare flet vet.

6 ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme, qyteti bregdetar vazhdon “të mbajë veshur” dekorin elektoral, ku mbizotërojnë posterët dhe banderolat e subjekteve politike, konkurruese në garën për Kuvendin e Shqipërisë.

Gazetari i njohur i ATSH-së, Gëzim Kabashi, ka dalë qysh në mëngjes rrugëve të Durrësit dhe ka shfrytëzuar një moment me diell ditën e sotme të 29 qershorit, e shtunë e vrenjtur, dhe ka shkrepur aparatin fotografik në ish-Rrugën Tregtare (rruga “Epidamn”).

Fotoja, që iu dërgua “Dyrrah”-ut, është domethënëse.

Megjithëse janë ditët e fundit të qershorit, qyteti turistik nuk ka marrë ende pamjen mikpritëse të fillimit të sezonit veror, pasi punonjësit e ndërmarrjes së shërbimeve dhe gjelbërimit deri tani kanë hequr një pjesë të reklamës zgjedhore, vetëm në rrugët periferike të Durrësit, thotë Kabashi.

Edhe në shëtitoren “Taulantia” imazhi i ditëve të fundit para zgjedhjeve nuk ka ndryshuar aspak dhe banderolat me fotot, sloganet dhe ftesat e partive politike kanë të njëjtin intensitet elektoral.

E njëjta gjendje është edhe në rrugën “Mujo Ulqinaku” që të çon deri te Parafabrikatet.

Sheshi “Liria” është pastruar i pari nga flamurët dhe posterët e mëdhenj, ndërsa do të duhet mjaft kohë për të hequr nga fasadat me qindra posterë, kryesisht të partive të vogla, pjesë e koalicioneve parazgjedhore.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/