DURRËS, 2 tetor 2014 –  Duke parë me vëmendje disa foto të vjetra të zonës pikante të Durrësit antik, vëren se, megjithëse vendet dhe objektet janë ende ku u fotografuan, përmasat e objekteve janë reduktuar shumë.

Një foto që i përket vitit 1900, rreth 12 vite para shpalljes së pavarësisë së shtetit të ri shqiptar, tregon mjaft qartë një hyrje të kalasë së Durrësit, e cila të nxirrte mbi zonën ku atëherë ndodhej nën tokë Amfiteatri Romak i Durrësit.

Kjo hyrje ndodhet edhe sot, po e reduktuar dhe e transformuar; kolegu Mark Brunga i ka dërguar “Dyrrah”-ut një pikturë të vitit 1983 të piktorit Stavri Nano, që paraqet këtë zonë me mure të reduktuara, ndërsa në një foto të bërë para 2 ditësh, porta është tashmë e futur në “mengenenë” e mureve të reja të betonit “demokratik”, që u derdh dhe po derdhet pa kursim mbi historinë e lashtë.

Të njëjtën pamje na sjell edhe një foto e fillimshekullit XX e Torrës Veneciane. Traktate muresh janë fshirë si në shumë zona të tjera.

Fotot dhe ideja: Mark Brunga.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/