Numri i të vdekurve ka arritur mbi 11 500 që prej nisjes së bombardimeve izraelit në Gaza si edhe ofensivës tokësore, ndërsa shumë prej spitaleve janë jashtë funksionit për shkak të mungesës së energjisë elektrike duke bërë që të vdesin shumë të sëmurë që ishin duke u mbajtur në kujdesin intensiv.

Izraeli ka ndarë më dysh Gazan e veriut duke rrethuar Gaza City ndërkohë që lufton me militantët e Hamasit, por luftës nuk i kanë shpëtuar edhe pacientët e spitaleve, të cilët po shohin tanke nga dritaret.

BBC raporton se situata është shumë e tensionuar në spitalin Al Shifa ku gjenden mijëra persona, ndërsa futja dhe dalja nga ambientet e tij është e vështirë pas rrethimit izraelit.

Lëvizja nga një ndërtesë në tjetrën brenda kompleksit të spitalit është një rrezik i madh, siç më përshkroi ai. Njerëzit kanë vdekur në spital sepse nuk ka energji elektrike, nuk ka ujë dhe nuk ka mjaftueshëm ilaçe”, raporton korrespondenti i BBC nga Gaza.

Dje Mark Regev, një këshilltar i lartë i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tha se një përpjekje e IDF për të dërguar 300 litra karburant në Shifa të dielën kishte dështuar sepse Hamasi kishte refuzuar ta pranonte atë – diçka që Hamasi e mohoi.