14nentor 2015 – Katastrofa ekologjike për plazhin e Durrësit, e cila ka mbetur pa autor, ka dëmtuar edhe kanalizimet e ujërave të zeza të Durrësit. Ujësjellës Kanalizime Durrës bën të ditur se mbetje të shumta nafte dhe vaji kanë depërtuar nëpërmjet rrjetit të vjetër të kanalizimeve dhe prej andej kanë shkuar në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura.
Pas konstatimit të këtij problemi, burimet zyrtare të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve thonë se, po merren të gjitha masat për të parandaluar dhe reduktuar dëmet në këtë impiant, në të cilin rrezikohet procesi biologjik i trajtimit të ujërave të ndotura.
Specialistë të Ujësjellës Kanalizimeve si dhe të impiantit të trajtimit të ujërave po verifikojnë kanalizimet dhe stacionet e pompimit përgjatë gjithë linjës nga plazhi deri tek impianti.
Nga të dhënat e para mendohet se ndotja ka depërtuar nga rrjeti i vjetër i ujërave të zeza që funksionon në zonën e plazhit. Ky rrjet përbëhet nga tuba sekondare dhe terciare prej betoni me fuga të paizoluara mirë, të cilat duke punuar si drenazhe krijojnë hinka nëntokësore duke thithur ujërat nëntokësorë dhe në rastin konkret edhe naftën dhe vajrat që janë më të lehta se uji i detit.
Aktualisht punëtorët e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Shënavlash po pastrojnë pusetat kryesore në hyrje të impiantit, ndërkohë që një pjesë e ujërave të ndotura që vijnë nga plazhi po devijohen në stacionin nr 9, në mënyrë që në impiant të mbërrijë një sasi më e vogël ujërash deri në përmirësimin e situatës.
Çfarë dëmi shkaktojnë ujërat me përmbajtje nafte dhe vaji
Sipas specialistëve që punojnë në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura mbetjet vajore dhe të naftës dëmtojnë procesin biologjik të impiantit, me të cilin ai funksionon duke pastruar ujërat e zeza. Ato prishin llumin duke dëmtuar procesin e prodhimit të biogazit, me anë të të cilit sigurohet një pjesë e konsiderueshme e energjisë elektrike, dëmtohen pajisjet elektro-mekanike duke sjellë dëme të parikuperueshme për rikthimin e tyre në gjendjen e mëparshme. Përveç këtyre, kjo ndotje dëmton ekosistemin si dhe florën dhe faunën në impiant. Prej vitesh, në vaskat e krijuara në dalje të impiantit, fauna është zhvilluar me shpendë dhe peshq të shumtë, të cilët kanë gjetur një oaz të ri për jetën e tyre.
/portali Durreslajm/