Një çati në aeroportin e Delhi në Indi është shembur prej shirave të rrëmbyeshëm në qytet, duke vrarë një person e duke plagosur tetë të tjerë. Pamje të publikuara në rrjet tregonin shtyllat e mëdha që mbanin çatinë e rrëzuar mbi makinat e parkuara në Terminalin 1 të aeroportit.
“Shkaku i shembjes është duke u hetuar por arsyeja kryesore duket se janë shirat e rrëmbyeshëm të orëve të fundit”, tha një zëdhënës i aeroportit.
Zyrtarët shtonin se katër automjete u dëmtuan dhe tetë njerëz pësuan plagë të lehta në incident. Aksidenti shkaktoi disa shtyrje të fluturimeve të terminalit, ose zhvendosje të operacioneve në dy terminalet e tjerë të aeroportit. Zyrtarët e Delhi thanë se një komitet teknik është ngritur për të hetuar shkaqet e aksidentit që mund të kishte pasur pasoja edhe më të rënda.
Ministri i aviacionit Ram Mohan Naidu Kinjarapu tha se do të kompensonte 2 milionë rupi ($24,000) familjen e viktimës dhe 300,000 rupi për të plagosurit. Kritikët e incidentit në rrjetet sociale vendase thonin se terminali kishte përfunduar një rinovim të plotë së fundmi, kur ishte inauguruar nga kryeministri Narendra Modi gjatë fushatës së zgjedhjeve. Prej të enjtes shira të rëndë kanë përfshirë Delhi duke i dhënë fund një periudhe të thatë me temperatura të larta.