DURRËS, 13 shkurt 2015 – Agjencia e famshme telegrafike Rojter (Reuters) ka publikuar në 30-vjetorin e shërbimit të saj fotografik pamjet më të famshme, ku përfshihet dhe një foto tronditëse të 18 vjetëve më parë në Durrës. Ishin momente dramatike kur shqiptarët për shkak të trazirave që pasuan rënien e skemave piramidale, orvateshin të largoheshin me çdo mënyrë nga Shqipëria.
Ja çfarë tregon krye-fotografi i Rojterit Yannis Behrakis:
“Po mbuloja trazirat në Shqipëri pas falimentimit të skemave piramidale. Civilët shqiptarë kishin humbur 1,2 miliard dollarë dhe Shqipëria u zhyt në rrumpallë (disorder) civile dhe dhunë. Qeveria ra dhe u vranë 2 000 veta.
Kolegu im i ndjerë Kurt Schork [1947-24 maj 2000, i vrarë në Sierra Leone – “Dyrrah”-u] dhe unë ishin të vetmit përfaqësues të shtypit, që po qëndronim në një hotel, ku pronari i armatosur na mbrojti nga banditë, të cilët do të grabisnin çdo gazetar që guxonte të vinte vetëm për të ndjekur ngjarjen.
Pronari këmbëngulte të vendosnim kallashnikovë dhe granata dore në raftet e dhomave tona “për të mbrojtur veten në rast nevoje”, siç tha ai.
Më 16 mars [1997] shkuam me makinë në plazhin e Golemit, ku dy helikopterë amerikanë ishin ulur, duke krijuar një stuhi rëre sapo qindra shqiptarëve të dëshpëruar u mblodhën në këtë zonë, duke shpresuar t’i merrte një helikopter për t’i nxjerrë jashtë vendit.
I verbuar nga rëra kam shkrepur disa foto kur një burrë shqiptar që mbajnte fëmijën e tij vrapoi drejt helikopterit. Rreth një duzinë marinsash amerikanë kërcyen nga “Super Stallion”-i dhe u treguan shqiptarëve pushkët mësymëse M-16.
Burri me fëmijën po u lutej ushtarëve ta lejonin të hipte në bord. Dukej qartë se marinsat ishin të befasuar nga turma dhe më pyetën se çfarë po ndodhte, dhe nëse kisha parë ndonjë të huaj që po përpiqej të largohej.
U shpjegova se këta njerëz ishin thjesht të dëshpëruar dhe donin të largoheshin nga Shqipëria, dhe se mendonin që helikopterët ishin atje për t’i marrë e çuar në një vend të sigurt.
Situata po dilte jashtë kontrollit dhe pati disa të shtëna paralajmëruese dhe njerëzit u goditën me qyta pushkësh.
Fakti që vendosëm të merrnim në sy rrezikun dhe të qëndronim në Durrës, u shpërblye. Gazetat në të gjithë botën i vunë këto foto në faqet e para”.
/përg. th. m. agjencia e lajmeve ‘Dyrrah”/





