*Nëna 18-vjeçare ende pa asnjë ndihmë

Një përfaqësi e shoqërisë civile protestuan sot pasdite para Bashkisë së Durrësit, duke qëlluar me vezë e tymyese për fatin e foshnjës që vdiq nga të ftohtit poshtë urës së Dajlanit. Mbështetja ka ardhur dhe nga dega e PD-së.

Për fëmijën e pajetë u ndezën qirinj nga pjesëmarrësit. “Ndoshta ju nuk jeni përgjegjës për vdekjen e këtij fëmije, por jeni përgjegjës për heshtjen tuaj dhe të institucionit që ju drejtoni. Turp për ju Vangjush Dako që heshtët dje, e u zhdukët sot”, e akuzon kryebashkiakun kryetari i PD-së së Durrësit, Osman Stafa.

Vdekja e foshnjës bëri jehonë një ditë më parë, por për nënën e saj 18-vjeçe askush nuk është kujtuar. Vojsava Sinani është pa asnjë mbrojtje apo ndihme, e paushqyer e pa asnjë strehë. Edhe fëmijën 1 muajshe e mori përsipër që ta përcillte për në banesën e fundit ndërmarrja komunale.