SHQIPERI – Fotografi britanik Jill Peters ka vizituar së fundi fshatrat malore të Shqipërisë, me synimin e vetëm për të fiksuar përmes foto portretesh “burrnesha” shqiptare, femra të viseve veriore të vendit, që mohuan seksualitetin e tyre dhe jetuan një jetë prej burri.
Shumë prej grave që Peters ka takuar janë shprehur se që në lindje ishin destinuar për të jetuar si burra, pasi familja u vuri emra meshkujsh. Kjo ishte një mënyrë për familjet e këtyre viseve për t’iu shmangur kodeve të vjetra që qeverisnin klanet fisnore dhe e cilësonin gruan si pronë të burrave.
Në fakt në mjaft zona të vizituara nga fotografi, në të kaluarën liria për të votuar, për të drejtuar makinën, për të punuar dhe siguruar para, për të pirë alkool, duhan dhe për të veshur pantallona ishte e drejtë vetëm e meshkujve.
Kthimi në burra ishte një alternativë për mjaft gra, për të fituar ato privilegje që i gëzonin vetëm meshkujt.
Për të manifestuar këtë prirje të re, gratë prisnin flokët shkurt dhe visheshin si meshkuj dhe jetesa mashkullore bëhej kësisoj një natyrë e dytë e tyre. Por më e rëndësishmja, një mënyrë e tillë jetese ishte një kusht që këto gra të zgjidhnin beqarinë e përjetshme. Dhe rezultati, ajo bëhet ai.
“Ato nuk kanë asnjë peng, megjithëse nuk janë martuar dhe nuk kanë fëmijë. Ato janë krenare për familjet e tyre, për nipat dhe mbesat”,- thotë Peters duke iu referuar bisedave që ka bërë me këto femra. Përsa kohë këto burrnesha bëjnë një jetë të ndershme ato janë mjaft të respektuara dhe trajtohen si persona të rëndësishëm në shoqëri.
Kjo praktike ka qenë e përhapur në të shkuarën, por fenomeni ndoshta shumë i kufizuar, vihet re edhe sot. Fotografi britanik konstaton se nga e kaluara tashmë kanë mbetur shumë pak burra-gra, rreth 30 të tilla. Ato jetojnë në fshatra të vegjël në zonat malore dhe pjesa më e madhe janë në moshë të tretë.
Më të rejat nuk duken më si “burrneshat” e kohëve të shkuara, kjo dhe për faktin se tashmë është me e lehtë për femrat të jenë të pavarura.
Megjithatë sipas Peters ato femra që e kanë ndarë mendjen të kthehen në burrnesha do të vazhdonin të jetonin si meshkuj megjithëse tani një femër në Shqipëri mund të bëhet edhe presidente e vendit.
Në galerinë e fotove të shkrepura nga fotografi Jill Peters vjen një copëz jetë e këtyre burrneshave të lindura gra, por që jetuan si burra.





