Ditët e fundit të tetorit, fotografi i ri dhe i talentuar durrsak, Griseld Hoxha hapi ekspozitën e tij të parë personale në Itali.

“Kur fotografia prek indet e qytetit” ishte titulli i ekspozitës së Hoxhës hapur në Milano, ku përmes 20 fotografive bardh e zi, ai solli një radiografi të jetës reale të Durrësit e jo vetëm.

Kuratorja e ekspozitës, artistja Alketa Delishaj nënvizoi gjatë ceremonisë hapëse se fotografi i ri ka një lidhje speciale me vendin e tij.

“Ajo që e dallon Griseldin është dashuria dhe mirëkuptimi i tij i thellë për Shqipërinë. Përtej arkitekturës dhe peizazheve urbane, është evidente lidhja e tij e thellë me njerëzit që portretizon. Shqipëria e Griseldit nuk është një vend statik, por një skenë vazhdimisht lëvizëse, e populluar nga personazhe të gjallë dhe histori që presin të bëhen”,- tha ajo.

Përmes ngjyrave bardh e zi dhe dritë-hijeve që krijojnë kontrastin, fotot e Griseld Hoxhës theksojnë ndërveprimin midis individit dhe mjedisit dhe të ftojnë të kërkosh detaje dhe histori të fshehura përtej fotos së fiksuar në celuloid.

“Kjo është edhe arsyeja se pse unë shkrep foto të tilla, të ndryshme nga realiteti i përditshëm. Kjo shpejgon më së miri jetesën në Shqipëri, që nuk është ashtu siç duket, por pak më ndryshe tek ato detajet që unë kap. Siç është edhe titulli i ekspozitës kur “Fotografia prek indet e qytetit” është shpjeguar më së miri.”,- tha fotografi Hoxha.

Ekspozita personale e Griseld Hoxhës në Milano u mbështet nga Konsullata e përgjithshme shqiptare në Itali.

“Me këtë ekspozitë duam të festojmë jo vetëm artin e Griseld Hoxhës, por të gjithë atyre djemve të rinj nga Shqipëria me një ftesë për të treguar histori të mëdha në mënyrë të thjeshtë përmes artit, por edhe rëndësinë e vazhdimit të traditës së fotografisë në rrugë në kontekstin bashkëkohor. Griseldi, me syrin e tij të mprehtë dhe ndjeshmërinë unike, na kujton se rrugët janë më shumë se thjesht shtigje. Ata janë teatro të gjallë, ku çdo ditë zhvillohet një paraqitje e pafund e gjendjes njerëzore”,– tha kuratorja Delishaj.

M.B.