Një ditë më parë, DurrësLajm njoftoi se pas një karriere të gjatë arkivisti dhe fotografi i mirënjohur i teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Luan Jaupi, doli në pension.
Pikërisht në respekt të punës së palodhur së Jaupit, atij iu rezervua një pritje në bashki nga kryebashkiakja Valbona Sako.
Në takimin mes Sakos dhe Jaupit ishte i pranishëm një tjetër fotograf i njohur në Durrës, Gëzim Domi. Do të jetë pikërisht Domi, ai që do të zëvendësojë Jaupin dhe do të jetë arkivisti dhe fotografi i teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Domi është mjaft i njohur në Durrës si një fotograf me emër, i pranishëm thuajse në çdo event që mbahet në qytetin bregdetar për të fiksuar me aparatin e tij momente, njerëz, personazhe etj.
I njohur njëkohësisht si një nga bashkëpronarët e një prej televizioneve të para private në Durrës, Domi pritet të vazhdojë më tej punën e mirë të bërë nga Luan Jaupi dhe të pasurojë edhe më shumë arkivin e vyer të teatrit të Durrësit, duke dhënë kontributin e tij në trashëgiminë kulturore të qytetit.