SIRI, 6 prill 2013 – Një fëmijë që ecën përmes rrënojave për të shkuar drejt shtëpisë së tij. Nje fëmijë lufte që mbijeton mes shkatërrimeve që të kujtojnë tmerrin e luftërave botërore.

Nuk është një realitet i stisur i filmave hollivudianë, por një realitet tronditës në Siri. Silueta e tij e vogël hedh hapa të ngadaltë, ndërkohë që pas shpatullave të tij ngrihen si skelete fantazmash ato që dikur ishin godina të reja, të populluara nga qindra njerëz.

Deri pak kohë më parë, Deir al-Zor ishte një qytet plot jetë në pjesën lindore të vendit. Një qytet ku lulëzonte turizmi.

Por që nga koha kur rebelët ndaj regjimit të presidentit sirian Bashar Assad u vendosën aty ai u kthye në shënjestër për trupat qeveritare.

Bombardimet e zgjatura i kanë kthyer godinat madhështore në rrënoja të apokalipsit, që jemi mësuar ta përjetojmë përmes efekteve speciale të studiove kinematografike.

Por ajo që shihet përmes këtyre fotove është një realitet që vret dhe imazhi i atij fëmije që ecën përmes rrënojave flet më shumë se mijëra fjalë.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/