Dasmat sigurisht që janë ditë për t’u mbajtur mend dhe në përpjekje për ta bërë këtë, të ftuarit me aparatet e tyre fotografike, kamerat apo smartphone-t, mundohen të fiksojnë çdo moment të bukur. Por mesa duket, sipas fotografit të dasmave Thomas Stewart, në fakt ata përfundojnë duke i prishur këto momente. Një postim i tij në Facebook ka bërë menjëherë xhiron e rrjeteve sociale, pasi Stewart, ka shprehur irritimin e tij për faktin që dixhitalizimi ka pushtuar ceremonitë e martesës dhe kjo nuk është diçka e bukur.
“Në rregull, mjaft më. Dua t’ju flas të gjithëve ju për të ftuarit që përdorin celularë/ kamera në dasma. Dua t’ju mbroj dhe dua ta bëj këtë shumë të thjeshtë: nuse dhe dhëndra, ju lutem, bëni ceremoni tërësisht pa mjete teknologjike,” ka shkruar Stewart në diçiturën e një fotoje ku shihet një numër i madh të ftuarish me celularë në dorë dhe dhëndri në altar që anohet për të parë nusen.
“Shiheni këtë foto. Këtij dhëndri iu desh të anohej në altar për të parë nusen e tij që afrohej. Pse? Sepse të ftuarit me celularët e tyre ishin në altar duke i zënë pamjen. Kjo ta shpif. Dhe nuk po fajësoj këta të ftuar në veçanti; Në fakt kam goxha përgjegjësi në këtë rast. Në të shkuarën, duhet të isha treguar më specifik me klientët e mi për t’ju shpjeguar se përse nuk duheshin lejuar të ftuarit të bëjnë foto. Epo, nga tani e tutje, do ta bëj pak më të madhe,” është shprehur ai duke vijuar më tej të shpjegojë se këta të ftuar së pari do të pengojnë punën e fotografëve që paguhen për këtë dhe së dyti, do të pengojnë vetë çiftin në ditën e tyre më të rëndësishme.
Dhe siç shprehet ai në fund, më e rëndësishmja është që në një ditë të tillë, kur ti kthehesh për të lexuar emocionet në fytyrat e të ftuarve, nuk e bën dot një gjë të tillë sepse ato janë të mbuluara nga celularët.





