Pedagogia Nevila Xhindi fshin nga rrjetet sociale foton me dy gishta, ku shfaqet studenti i saj, njëherësh djali i deputetit socialist Pandeli Majko, Gjergji, teksa pozon me disa studentë të tjerë.

Pedagogia sqaron në një intervistë për “News24” se u detyrua ta ndërmarrë këtë veprim, pasi komentet dhe reagimet që pasuan pas hedhjes së fotos në rrjet i tejkaluan përmasat, duke u kthyer në presion partiak që rëndonin mbi studentin e saj.

“Është një foto miqësore si rrjedhojë e bisedës me studentët e mi për protestën dhe demokracinë. Ishte finalja e një bisede që ne bëmë. Fotoja ishte krejtësisht miqësore, e bëri Gjergji, nuk ishte për humor. Më vjen mirë që po rritet një brez që mendon më hapur se prindërit e tyre”, thotë ajo.

Pedagogia shton se Gjergji ishte në dijeni të plotë për publikimin e fotos, ndërsa e ka çuditur reagimi politik i prindërve të tij. Ajo thotë ndër të tjera se ndonëse u komentua shumë, Gjergji nuk i kërkoi ta hiqte foton.

“Ajo që më çuditi ishte reagimi i prindërve të Gjergjit, mendoj se kanë dëmtuar djalin e tyre. Ai është një student i shkëlqyer, i hapur. Unë për kortezi, pas presionit të komenteve jo dashamirës e hoqa. E ndjeva presionin që i bëhej Gjergjit, por nuk ishte një kërkesë e tij”, shton Xhindi.

Kujtojmë se pas publikimit të fotos së djalit të tij, me dy gishtat lart, që përshëndeste protestën e opozitës, deputeti Pandeli Majko ka reaguar ashpër, duke e cilësuar se fotoja ishte bërë për humor dhe se është keqinterpretuar. Ai shkoi deri aty, sa tha se e merrte vetë përgjegjësinë para socialistëve.