Një 32-vjeçare u mor me vete nga një dallgë gjigande përpara syve të fëmijëve të saj, teksa bënte foto krah bashkëshortit në Mumbai të Indisë. Viktima, e identifikuar si Jyoti Sonar, ndodhej në Bandra Bandstand bashkë me të shoqin dhe 3 fëmijët e tyre, kur ndodhi ngjarja tragjike më 9 qershor.
Sonar ishte ulur në një shkëmb krah të shoqit dhe po pozonin për foto, ndërkohë që fëmijët e tyre i shihnin në distancë.
E gjithë ngjarja u filmua në kamera dhe videoja në fjalë po shpërndahet gjerësisht në mediat sociale përgjatë ditëve të fundit. Në një moment një dallgë masive i mbulon, duke i marrë jetën gruas. Fëmijët dëgjohen teksa të dëshpëruar thërrasin për mamanë e tyre.
Bashkëshorti, Mukesh Sonar, raportohet se u përpoq që ta shpëtonte 32-vjeçaren, por pa sukses. Vetë ai u shpëtua nga njerëzit që ndodheshin aty pranë.
Trupi i saj i pajetë u gjet një ditë më pas nga roja bregdetare e Mumbait pas një operacioni kërkimi që zgjati rreth 20 orë.





