Durrës, 6 prill 2014 – Krahas atletëve profesionistë dhe qindra nxënësve të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të qytetit të Durrësit që ju bashkuan Maratonës Ballkanike, në të mori pjesë edhe një 78 vjeçar.
Atleti i dikurshëm durrsak, Nexhat Xhemalçe, nuk i ndahet pasionit të tij të dikurshëm, megjithë moshën e thyer. Ndërsa shumë bashkëmoshatarë të tij i kanë të kufizuara lëvizjet në këtë moshë, Xhemalçe vrapon një herë në dy ditë rreth 25 km.
Nga ata që nuk e njohin, pak kush do ta besonte se përpara kanë një 78 vjeçar, sepse trupin e tij do ta kishin zili edhe 40 vjeçarët.
Në përfundim të Maratonës Ballkanike ai u nderua me medalje ari, medalje kjo që i shtohet koleksionit të tij të pasur ku renditen rreth 30 të tilla të marra në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare.
Xhemalçe, ashtu si dhe atletët e dikurshëm durrsak që u nderua me tituj nderi si Fatbardha Dervishi, Reuf Kazazi dhe Marinda Preka, ndjen dhimbje për gjendjen në të cilën është katandisur atletika shqiptare në ditët e sotme. Sipas tij, aktivitete si ky i sotmi shërbejnë për të rikthyer vëmendjen ndaj këtij sporti, që para viteve 90 ka qenë sport elitar dhe që ka nxjerrë emra të shquar jo vetëm brenda vendit, por që kanë garuar denjësisht edhe në evenimentet ndërkombëtare ku kanë marrë pjesë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





