Që nga muaji korrik kur një pjesë e mirë e qytetarëve të Durrësit morën grantin e rindërtimit dhe bashkia ju ndërpreu bonusin e qirasë, puna për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti ka nisur vrullshëm.

Në qindra pallate dhe mijëra apartamente dëgjohen çdo ditë zhurmat e trapanos së ustallarëve që riparojnë dëmtimet, ngrenë mure, mbyllin gropat etj. Thasët me inerte që dalin çdo ditë nga apartamentet të kujtojnë javët pas tërmetit, kur banorët që guxuan të riktheheshin në pallatet e dëmtuara, nxirrnin jashtë copat e mureve dhe suvasë që kishin rënë nëpër shkallë dhe brenda banesave.

“Shembull” i rindërtimit është edhe ky pallat shumëkatësh që ndodhet në lagjen nr.6, pranë ish-rajonit të policisë.

Secili banor, me riparimin e apartamentit të tij, ka krijuar një “arnë” në fasadën e pallatit. Po të shikosh me kujdes, asnjë arnë nuk i ngjan tjetrës…

Secili e ka mbyllur siç ka ditur më mirë, apo me aq mundësi financiare sa ka pasur.

Riparimi i ambienteve të përbashkëta nga bashkia, ndoshta do i heqë “arnat” nga fasadat e godinave shumëkatëshe të Durrësit.

Dhe të shpresojmë se “arnat” do të jenë rezistente…