Pamjet filmike të filmave triller apo horror t’i kujton kjo banesë private në plazhin e Durrësit.

Vila dykatëshe në sektorin “Hekurudha” është mbuluar nga bimësia, që ka pushtuar pjesën më të madhe të sipërfaqes së saj. Duket se natyra po merr pushtet mbi ndërtimin e bërë nga dora e njeriut.

E pozicionuar në vijën e parë të plazhit, vila në gjendje të degraduar bën një kontrast të fortë me godinat shumëkatëshe përreth, që janë ndërtime të viteve të fundit.

Perdet që varen jashtë dritareve pa xhama apo një shishe vere që dallohet në brendësinë e saj të kujtojnë se dikur kjo godinë ka qenë e banuar.

Sot ajo është dëshmi e shkatërrimit e braktisjes totale dhe prej vitesh ofron një imazh shumë larg atij të një zone turistike.