DURRËS, 2 nëntor 2013 – Në vend të gazetave dhe librave copa suvaje mbi tavolinat e sallës së leximit të bibliotekës së bashkisë së Durrësit. Gazetarët Gëzim Kabashi dhe Mark Brunga në një shërbim fotografik për “Dyrrah”-un kanë fiksuar një moment skandaloz, që flet për gjendjen e mjeruar të ndërtesës së bibliotekës publike të qytetit. Është e disataherë që ndodh rënia e suvasë së tavanit. Këto foto të orës 9:00 paradite i takojnë datës 2 nëntor 2013 dhe fatmirësisht nuk kishte lexues në sallë, që mund t’u ishte rrezikuar seriozisht jeta, kurse në raste të mëparshme njerëzit kanë shpëtuar rastësisht. E njëta gjë ka ndodhur disa herë dhe në zyrën e drejtorisë. Aksidentet ndodhin për shkak të amortizimit të ndërtesës 70-vjeçare.
Info
Biblioteka Publike e Durrësit u hap më 10 shtator 1945. U vendos në selinë e admiraliatit të marinës italiane në rrugën që ngjitet për tek Vila e Mbretit Zog. Merita për mbledhjen dhe pasurimin e fondit libror i përket drejtorit të parë të bibliotekës dhe muzeumeve, Vangjel Toçit, i njohur ndryshe si i apasionuari pas arkeologjisë dhe librit. U pasuar nga Ora Karazi, Pertef Kruja, Hasan Ulqini, Fatbardh Dedja, Pirro Dollani, Met Dervishi, Flora Gjondedaj (Dervishi). Nuk duhet lënë gjithashtu në harresë, mësuesi i shqipes dhe dhuruesi i kombiarit, Jorgji Çerepi. Fondi bazal libror i fillimeve të bibliotekës është kontribut në përgjithësi i familjeve qytetare të Durrësit, që kishin biblioteka private dhe në veçanti i familjeve: Toçi (me 1000 libra), Tati, Bihiku, Manushi, Beshiri, Shijaku, Lezhja, Harizi, Dovana, Gjini, Gjata, Qereshniku, Margariti etj. Më pas familjet Çeta, Zacharian apo edhe sekuestrimet e bibliotekave të intelektualëve që patën fatin e keq të dënoheshin nga sistemi pasuruan edhe më tej fondin e saj. Biblioteka filloi nga funksionimi me vetëm 5000 libra dhe periodikë. Ajo u vendos në qendër të Durrësit, në vilën e një misionari italian, e cila iu shit në fundin e 1944-ës Mediha Asaf Libohovës dhe më pas u shtetëzua. Godina, ka sipërfaqe prej 375 m katrorë. Aktualisht në fondin e saj numërohen 265.000 libra dhe periodikë. Në fondin e bibliotekës përveç librave artistikë, shkencorë, si edhe periodikëve jo vetëm në gjuhën shqipe, një fond me mjaft vlera përbëjnë librat albanologjikë. Fondi total i këtij sektori shënon në fund të vitit 2011 saktësisht: 2.879 tituj dhe 3.486 ekzemplarë. Që nga viti 1977 është kërkuar ndërtimi i një bibliotekë të re, por nevoja është bërë më urgjente në 15 vitet e fundit. Ndërtimi i bibliotekës së re është një nevojë e kohës, pasi fondi i librave është 53-fishuar, ndërsa biblioteka vazhdon të qëndrojë në po ato hapësira që kishte kur u hap me vetëm 5.000 njësi. Aktualisht biblioteka numëron rreth 16.000 përdorues të librit dhe periodikut, ndërsa zhvillon në një vit rreth 13-15 veprimtari për librin, deri në nivel sesionesh shkencore. Nga frekuentuesit e saj mund të përmenden shkrimtarët Gjergj Vlashi, Bashkim Hoxha, Petraq Risto, Ruzhdi Gole, Shpendi Topollaj, Bardhyl Agasi, Nikolla Spathari, Myzejen Konduri, Daut Hoxha, Janaq Pani, Stavri Risto, Ymer Nurka, Vera Vasia etj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





