10 shtator 2013-Ai është Ambasadori i SHBA-së në Tiranë dhe gëzon mjaft privilegje diplomatike. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një ambasador të një fuqie të madhe si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.E megjithatë me një valixhe të vogël me rrota në njërën dorë dhe në tjetrën një çantë sportive hedhur mbi shpinë, ambasadori Arvizu është parë në aeroportin e Fiumicinos në Itali duke mbajtur radhën për të hyrë në gate- in. Njësoj si të gjithë shqiptarët e tjerë që morën linjën e avionit Romë- Tirane: Pa bërë bujë, pa kërkuar privilegje dhe i pa shoqëruar nga truprojet e shumta.Veprimi nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e të gjithë pasagjerëve shqiptarë të mësuar me politikanët e zyrtarët e tyre të lartë të shtetit të cilëve u lirojmë radhën, karrigen, por dhe rrugën, (Ndonëse qëndrojmë të bllokuar për 30 minuta në trafik) derisa eskorta e makinave të kalojë bashkë me zhurmën e sirenave.Një nga pasagjerët e ka fotografuar dhe përmes rubrikës “Raportoni ju” të Shqiptarja.com dëshiroi ta bëjmë publike në media duke sjellë dhe dëshminë e tij
"Arvizu ka qëndruar bashkë me qytetarët dhe ka respektuar radhën në gate-in ku rrinë pasagjerët, pa bërë bujë dhe pa kërkuar privilegje për kalimin e pikës kufitare".Ambasadori Aleksandër Arvizu vjen nga SHBA ku të gjithë janë dhe duhet të jenë të barabartë.Ky është mësim tjetër qytetarie që Arvizu jep për të gjithë shqiptarët, pas atij të pak muajve më parë kur në kuadër të promovimit të projketeve për riciklimin e mbetjeve tregoi historinë e tij në SHBA kur vetë ai kishte bërë ndarjen e mbeturinave sipas përmbajtjes në kontenierët e mbeturinave.Ambasadori Arvizu ka qenë duke u kthyer drejt Tiranës pas një shërbimi pune në Itali.
/shqiptarja.com/





