Pirgjet e mëdha me leshterikë shoqërojnë përgjatë gjithë gjatësisë investimin që po bëhet në shëtitoren “Taulantia” nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Madje leshteriku ka “pushtuar” edhe pjesën më të madhe të shkallareve, që ishin ideuar për të zbritur direkt në det.

Ndërsa vija bregdetare e plazhit është pastruar thuajse tërësisht nga leshterikët e dalë në breg gjatë stuhive të dimrit dhe pranverës, në shëtitoren bregdetare të Durrësit  pirgjet janë ngritur kapicë njëri mbi tjetrin.

Qytetarëve që kanë nisur të frekuentojnë në masë shëtitoren, sidomos pasdite kur edhe rrezet e diellit nuk janë aq të forta, nuk ka sesi mos t’u “vriten sytë” nga pamja që ofrojnë tonelatat e leshterikut të dala në breg.