21 korrik 2015 – Spitali ushtarak në Tiranë ka gjetur një zgjidhje shqiptare për t'u ardhur në ndihmë të sëmurëve në përballimin e të nxehtit. Duke qenë se kondicionerë nuk ka, por edhe aty ku ka nuk punojnë, e vetmja mundësi për t'i shpëtuar të sëmurët (sidomos ata pas ndërhyrjeve kirurgjikale) ka qenë nxjerrja e tyre megjithë shtretër në oborrin e spitalit.
Në këtë foto duken të paktën dy prej tyre, që janë vendosur, bashkë me shtratin dhe këmbalecin e serumit, në një pjesë të oborrit mbrëmë në darkë me shpresën e një flladitjeje të mundshme. Mjekët në spital thanë për lapsi.al se kushtet vazhdojnë të jenë skandaloze dhe temperaturat e larta e kanë bërë edhe më të papërballueshme punën e tyre.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë vazhdon e qetë sezonin veror, pasi ka mbyllur disa tendera për makina dhe konçensione për analiza. Ministri Beqaj, ish-kompania e të cilit ka fituar çdo garë që lidhet me teknologjinë në administratën shtetërore, nuk ka menduar për të rinovuar sistemet e ngrohje- ftohjes në spitalet e vendit. Ndoshta gjatësia i jep mundësi të flladisë mendimet duke mos menduar për të sëmurët. /lapsi.al/