19 nëntor 2015 – Një ndër grupet më të mëdhenj të shpërndarjes së lëndëve narkotike u godit dje nga policia në Tiranë. Hetimi i deritanishëm i Prokurorisë së Tiranës ka zbuluar mekanizmin se si funksiononte ky grup i përbërë prej 35 vetash. Ata shpërndanin kokainë dhe heroinë në disa zona kryesore të kryeqytetit, dhe nga hetimet e deritanishme, rezulton se xhiroja e këtij trafiku arrin në vlerën e mbi 7 milionë lekëve të rinj në muaj.
Urdhrat e ndalimit të Prokurorisë janë nxjerrë pasi janë bashkuar në një procedim të vetëm disa referime nga ana e Policisë së Shtetit. Sipas informacioneve, persona të ndryshëm ishin aktivë në shpërndarjen e kokainës dhe heroinës në zonën e Rrugës së Elbasanit, Saukut, tek “Tirana e Re”, etj.
Në bazë të veprimeve procedurale të Prokurorisë së Tiranës, u arrit në përfundimin se shtetasit e ndaluar kishin lidhje me njëri-tjetrin, pavarësisht se dukej se vepronin në mënyrë të pavarur.
Shtetasi Julian Bushati siguron në sasi të konsiderueshme lëndën narkotike të llojit heroinë te persona ende të paidentifikuar për momentin. Sasia që merr tek ky shtetas është rreth 100-200 gramë çdo 5 ditë. Më pas, këtë sasi e përpunon në banesën e tij duke e 3-fishuar me përbërës të tjerë. Për këtë, ai disponon mjete dhe ka përshtatur njërën dhome si minilaborator. Pasi përpunon lëndën narkotike, e dërgon në sasi rreth 100-150 gramë çdo ditë te shtetasi Sokol Kllapi dhe pjesën tjetër e shpërndan te persona të tjerë.
Shtetasi Kol Kllapi së bashku me shtetasen Sonila Dinoshi, kanë marrë një apartament me qira. Sasia e lëndës narkotike ndahet në porcione 0.3 gram nga Sokoli dhe Sonila (të dy janë përdorues të lëndës narkotike heroinë dhe krak), duke paketuar rreth 200-250 porcione (copa). Një porcion shitet 1.000 lekë të rinj. Xhiroja ditore e kryer prej shtetasve Sokol Kllapi dhe Sonila Dinoshi është 200.000 – 250.000 lekë të rinj, fitimi ditor është 90.000 -120.000 lekë të rinj.
Shtetasi Julian Bushati shet edhe vetë sasi lënde narkotike të ndara në doza. Për të shitur dozat e lëndës narkotike, ky shtetas përdor shtetasin e identifikuar me emrin Armando Murati, i cili për shitjen e lëndës narkotike të llojit heroinë përdor një motor skuter. Duke qenë se cilësia e lëndës narkotike heroinë është e cilësisë më të mirë në treg, klientela e përdoruesve është në rritje. Shpërndarja e lëndës narkotike fillon në orën 08.00 të mëngjesit, deri në mbrëmje. Për të shpërndarë lëndën narkotike, shtetasi Sokol Kllapi ka blerë së fundmi një automjet të vogël për të mos rënë në sy, e tipit Ford Fiesta.
Në maj 2015, është bërë e mundur sekuestrimi i një doze lënde narkotike nga shtetasi Armando Murati. Kjo dozë u dërgua për ekspertim kimik në laboratorin e Drejtorisë së Policisë Shkencore e cila sjell përgjigjen, ku thuhet se lënda e dyshuar narkotike tregoi për praninë e heroinës.
/portali DurresLajm/