26 shtator 2013- Dita e djeshme ishte e fundit kur zyrtarët demokratë shkelnin në selinë e vjetër, pranë Ministrisë së Brendshme. Sendet e fundit që u transportuan në godinën e re, ngjitur me Parlamentin, ishin disa tavolina që u sistemuan në katin e tretë. Shumica e zyrave në selinë që disa muaj më parë mbante emrin Shtëpia Qendrore e Ushtrisë, janë përfunduar dhe tashmë janë zënë nga lidershipi i demokratëve. Ndërkohë që mbeten ende zyrat e katit të tretë të parregulluara dhe kati i parë, i cili nga restorant do të përshtatet në zyra të vogla për drejtuesit e PD-së. 
ZYRAT E REJA 

Ndryshe nga selia e vjetër, kur krerët e PD-së ishin vendosur në katin e tretë të godinës, në selinë e re, kati më i rëndësishëm është ai i dyti. Përballë shkallëve gjendet zyra ku zhvillohen mbledhjet e Grupit Parlamentar demokrat, një sallë e madhe ku është vendosur tryeza e rrumbullakët ngjyrë blu. Një korridor i gjatë rreth 40 metra përshkon zyrat e krerëve demokratë. Aty kanë marrë zyrë sekretari aktual i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, sekretari Organizativ, Flamur Noka, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Gert Bogdani, si dhe ishkëshilltari politik i Kryeministrit, Glori Husi. Një zyrë është rregulluar edhe për nënkryetaren e partisë, Jozefina Topalli, e cila ka gjithashtu një tjetër ambient pune në selinë e Kryesisë së Kuvendit. 

 

http://www.panorama.com.al/2013/09/26/fotot-e-zyrave-te-reja-ne-seline-e-pd/