Groposen pulat e ngordhura në Durrës. Mësohet se pulat e ngordhura për shkak të gripit të shpendëve janë groposur në një zonë të bashkisë së Shijakut larg zonave të banuara. Vendi më pas është dezinfektuar me solucionet përkatëse, për të shmangur çdo problem infeksioni.

Ndërkohë një ditë më parë, “DurrësLajm” raportoi se bashkia e Durrësit sugjeronte që këto pula të ngordhura nga gripi i shpendëve të asgjësoheshin në vende të licensuara, duke u djegur. Bashkia e qytetit bregdetar, në përgjigjen që i ka dërguar Ministrisë së Bujqësisë ka sqaruar se nuk ka terren të përshtatshëm që të plotësojë kushtet ligjore për groposjen e pulave të prekura nga gripi i shpendëve.

Sipas veterinerëve, në raste të tilla kur kemi ngordhje në masë të shpendëve, duhet që ato të groposen sa më thellë nën tokë, për të mos i dhënë mundësi virusit të përhapet.