TIRANË- “Nazime Visha e ka vrarë të dashurin dhe të akuzuarin si dhunues të saj, Fiqiri Muça, në një moment të pashpjegueshëm psikologjik”.

Dosja penale ndaj 18- vjeçares me akuzën e “vrasjes me paramendim” pritet që të dërgohet sot nga Prokuroria e Tiranës në Gjykatë për t’iu nënshtruar shqyrtimit nga trupi gjykues. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria deklaron se ka sqaruar shumë momente në lidhje me ngjarjen. Momenti i parë është largimi i Nazime Vishës nga banesa për dhjetë ditë në muajin maj dhe qëndrimi në mal me Fiqiri Muçën.

“Mes provave të do të dërgohen në Gjykatë ndodhen disa dhjetëra foto, të hedhura në një CD, por disa prej tyre janë printuar nga ana e Prokurorisë. Fotot janë imazhe të fiksuara me kamerën e celularit të Fiqiri Muçës gjatë kohës së qëndrimit me Nazimen në ditët kur e akuzuara kishte ikur nga shtëpia”, thanë burimet e Prokurorisë.

Sipas tyre, fotot paraqesin situata intime të çiftit dhe në to nuk ka asnjë element të dhunës apo detyrimit ndaj 18-vjeçares. “Fotot e nxjerra nga celulari i Fiqiri Muçës përbëjnë një provë se në momentin e largimit nga banesa, 18- vjeçarja nuk ka qenë e detyruar apo e rrëmbyer”, thanë burimet nga Prokuroria.

Sipas tyre, momenti i dytë i sqaruar gjatë hetimeve është prishja e fejesës së Nazime Vishës me të riun nga Vaqari, emigrant në Itali. Hetimet kanë saktësuar se prishja e fejesës ka ardhur nga emigranti, i cili pasi kishte marrë vesh ngjarjet e ndodhura mes 18-vjeçares dhe Fiqiri Muçës, ka vendosur të ndërpresë komunikimin dhe ta mbyllë këtë histori. Momenti ende i pashpjeguar është vrasja dhe ditët para kësaj ngjarjeje.