TIRANE, 27 qershor 2013 – Edhe në lajmërimin e dorëheqjes, PD ka tentuar të japë imazhin e një partie të re.
Jo rastësisht në sheshin para PD-së janë thirrur anëtarë të Forumit Rinor të PD-së dhe jo njerëz në moshë. Ideja e dhënies së imazhit të një “partie të re”, ka qenë përpjekja e vazhdueshme e PD-së gjatë kësaj fushate.
Mirë e bëjnë që kujdesen për këtë imazh, por ai do jetë fals përsa kohë nuk ndryshon edhe mentaliteti bashkë me moshën.
Ra në sy që megjithëse të rinj, këta anëtarë të PD-së nisën të qajnë në momentin që Berisha tha që ka vendosur të japë dorëheqjen, duke të kujtuar skena nga tjetër kohë dhe nga tjetër vend.
Më poshtë, disa foto të agjensisë LSA të shkrepura gjatë fjalimit të ish-kryeministrit Sali Berisha i kundërvotuar masivisht këtë 23 qershor.
Duke qarë është parë gjatë gjithë fjalimit edhe një nga dy zëdhënëset e Berishës, Elra Mëhilli dhe Laura Vorpsi.
Të dyja këto kanë reaguar ndryshe.
Mëhilli u tregua me e ndjeshme. Ajo nuk ndaloi së derdhuri lot gjatë kohës që Berisha tha se po jepte dorëheqjen.





