5 dhjetor 2013- “Unë jam vrasës. Vras njerëz për para”. Ky është vetëm një ndër postimet e bëra në profilin personal në rrjetin social “Facebook” nga ana e 15-vjeçarit të arrestuar për vrasjen e një nxënësi të shkollës ku mësonte.
Postimi në faqen e E.V.-së ndoshta do të kalonte pa u vënë re për përmbajtjen e tij nëse nuk do ndodhte ngjarja e djeshme, ku 15-vjeçari u bë realisht një “killer”.
Pamje sekuencash filmi me viktima e vrasës janë publikuar prej disa muajsh nga ana e adoleshentit, i cili tashmë do të përballet në jetën e vërtetë me akuzën e vrasjes me paramendim të Adriatik Totës. Për të njohurit e tij, “E.V. është një djalë i mirë, i urtë dhe pa asnjë problem të mëparshëm me shoqërinë e familjen. I ati punon gjithë kohën me makinë brenda dhe jashtë vendit për t’i siguruar familjes çdo të mirë”.
Në fakt, i ati i 15-vjeçarit nuk kishte pak orë që ishte kthyer nga një udhëtim i gjatë kur ka mësuar se i biri ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e një nxënësi në shkollën e Shkozetit. Por, nuk është i vetmi që afishon pa asnjë të keq fotot me armë e shprehje ekstreme. Të njëjtat pamje me foto me armë e para kanë qarkulluar deri dje edhe në profilin e Adriatik Totës, 16-vjeçarit të vrarë në kohën kur ndodhej në ambientet e klasës së mësimit. Djalit që i duhej të udhëtonte çdo ditë disa kilometra në këmbë për të dalë në rrugën e fshatit e më pas me autobus për në shkollë postonte fotografi të ndryshme, duke treguar për stilin e jetës dhe shoqërisë që ai preferon. Në fotografi të tjera, djali pozon me pije e celularë e në bare të ndryshme të qytetit të Durrësit. Në faqen me emrin e Totës dalin, njëra pas tjetrës, disa fotografi ku adoleshenti pozon me një armë shotgun në dorë e më pas vendos një foto profili me një armë dhe para në sfond. Pamjet në fotografi duket që stonojnë me fytyrën dhe trupin e imët të 16-vjeçarit, ndërsa është vetë ai që sajon poezi për hashashin dhe daljet me shoqërinë.
“Kur ishim të vegjël, loznim me kapsolle, e pinim hashashin, me shishe coca-cola, babi e mori vesh, na çoi në polici, atje na thanë, hashashin mos e pi”, shkruante më 22 nëntor Adriatiku.
Miqtë e kushërinjtë e tij tregojnë se ai ishte djalë pa asnjë problem dhe me shoqëri të mirë, që kërkonte të mbaronte shkollën dhe të ecte përpara. Ata thonë se Adriatiku nuk kishte ndonjë të dashur, por vetëm shoqe, edhe pse në “Facebook” 16-vjeçari fliste për dashurinë e tradhtinë. Një nga statuset e fundit të adoleshentit që humbi jetën fatalisht, ishte se “jeta është si një dërrasë e zezë, ku fantazia shkruan dhe realiteti fshin”. Pikërisht ky realitet fshiu të gjitha ëndrrat e tij, duke e ndarë nga jeta pa arritur të festojë në muajin shkurt ditëlindjen e tij të 17-të. Mbrëmjen e djeshme, faqja në “Facebook” e Adriatik Totës u mbyll përfundimisht nga të njohurit e tij, duke fshirë dhe një kapitull që sapo kishte nisur nga jeta e një 16-vjeçari.





