Në operacionin e policisë së Shtetit mëngjesin e sotëm në Lezhë, ku u arrestuan 4 persona, mes tyre edhe i kërkuari për vrasje Gentian Elezi, ka edhe të tjerë persona të arrestuar. Njëri prej tyre është edhe 29-vjeçari nga Tirana, Endrit Vejsiu.

Mësohet se Endriti është vëllai i moderatores së njohur Alketa Vejsiut. 29-vjeçari u arrestua në aksin rrugor Milot-Lezhë, ku kishte fshehur në makinën e tij tip “Opel”, 4 mina me telekomandë dhe 3 kilogramë kanabis.

“Si rezultat, u bë i mundur kapja e shtetasit Endrit Vejsiu, 29 vjeç, nga Tirana, pasi në aksin rrugor Milot – Lezhë, në kryqëzimin e Shënkollit, në mjetin e tij tip ‘Opel’ në një gomë rezervë në bagazh, u gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë.

Ato ishin të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban, të dyshuara lëndë plasëse e llojit TNT. Gjithashtu u gjetën edhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje. Arrestimi i Vejsiut u bë për veprat penale "Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike" dhe "Trafikim i lëndëve plasëse".”, informoi policia.

Endriti ndryshe nga Alketa, e cila na e ka mbajtur të fshehtë, më parë ka publikuar shpesh foto në rrjetet sociale me moderatoren e njohur, disa prej të cilave mund t’i shfletoni më poshtë.