“DurrësLajm” mëson se mjeti tip “Benz” që u përfshi nga zjarri gjatë natës në qytetin e Durrësit i përket shtetasit Bedri Dervishi.
Policia e Durrësit informoi se zjarri fillimisht ka rënë në automjetin e Dervishit, e më pas flakët kanë përfshirë edhe një mjet tjetër të parkuar në afërsi me të.
Ndërsa shkaqet e zjarrit nuk dihen ende, policia po punon për të zbardhur rrethanat pasi ka dyshime që ngjarja është e qëllimshme.
Kjo për shkak edhe të konflikteve të mëparshme që ka pasur shtetasi Bedri Dervishi në lidhje me prishjen e një objekti që shërbente si agjenci tek Ura e Dajlanit.
Në nëntor të vitit 2018, kreu i IMT-së në Durrës, Ardian Halili u kanos nga vajza dhe gruaja e Bedri Dervishit për shkak të urdhrit për prishjen e këtij objekti, që sipas IMT-së ishte ndërtim pa leje.
Ndërkohë, vetë Dervishi, i cili ishte futur në një betejë të vërtetë ligjore me IMT-në, në një prononcim për “DurrësLajm” asokohe, deklaroi se po veprohet me dy standarde nga ana e këtij institucioni.
Drejtoria e Hekurudhës ka kërkuar shembjen e objektit i cili shërben edhe si biznes edhe si banesë, me pretendimin se nuk plotëson kriterin e largësisë nga shinat e trenit. Dervishi thotë nga ana e tij se Aluizni ka legalizuar objekte që janë 2 metra larg prej shinave të trenit dhe ka refuzuar objektin e tij të ndërtuar në vitin 1992. (Lexo më shumë këtu: Durrës, kërkojnë t’i prishin objektin, 55-vjeçari në betejë ligjore me IMT-në).





