Në uebsajtin online të televizionit amerikan “Fox News”, është publikuar një artikull lidhur me çështjen gjyqësore në SHBA, për një pagesë të bërë nga shoferi i limuzinës Bilal Shehu, për fushatën e presidentit amerikan Barak Obama në vitin 2012.

Artikulli hapet me titullin: “Rasti i errët përfshin Obamën. Shoferi i limuzinës në New Jersey dërgon valë goditëse nëpër Shqipëri”, dhe jep informacion mbi çështjen e hapur së fundmi dhe citon një agjent federal që thotë se 80 mijë dollarët e paguar kanë qenë të Edi Ramës.

Një çështje federale që përfshin një shofer limuzine në New Jersey, njeriun më të fuqishëm në botë dhe kryeministrin e Shqipërisë ka tërhequr vëmendje të pakët në SHBA.

Në dokumente thuhet se, shoferi i limuzinës në New Jersey, Bilal Shehu ishte një donator i madh për fushatën e vitit 2012 në rizgjedhjen e Presidentit Obama, duke paguar 80,000 usd që ai dhe gruaja e tij të merrnin pjesë në një mbledhje fondesh në San Francisko.

Por Shehu nuk kishte marrë me vete gruan e tij. Ai kishte sjellë Edi Ramën, i cili do të bëhej kryeministër i Shqipërisë.

Agjentët federalë thonë se paratë që u paguan ishin të Edi Ramës dhe një foto e tij me presidentin e SHBA-së i dha fushatës së tij në Shqipëri mbështetje të madhe.

Shehu, nuk pati edhe aq sukses. Ai u akuzua më 29 qershor për kontribute dhe donacione të huaja me dijeni dhe me dashje dhe përballet me pesë vjet burg dhe një gjobë 250,000 $ kur të dënohet më 5 tetor.

Në vendin e tij, politikanët shqiptarë opozitarë kanë hedhur akuzua se këto para kanë dalë nga trafiku i drogës, dhe rivalët e Ramës po bëjnë thirrje që ai të ndiqet penalisht.

Edi Rama ka kryer të paktën tri vepra penale … dhe personalisht ka përfituar nga kjo”, i tha deputeti i opozitës Eduard Halimi “Associated Press” pas dorëzimit të padisë penale kundër Ramës javën e kaluar.

Sipas dokumenteve të paraqitura në çështjen gjyqësore të Shehut, e cila ishte hetuar nga FBI-a, ai pranoi marrjen e parave nga një burim i huaj me anë të transferimit në llogarinë e tij bankare.

Emri i Ramës nuk është përmendur në gjyq. Në dokumentet e paraqitura në gjyq, thuhet se “shtetasit të huaj” i është mohuar prania në eventin në San Francisko, por ishte lejuar për t’u fotografuar me Presidentin Obama.

Prokurori i SHBA-së për rrethin e New Jersey-it tha në një deklaratë që asnjë person nga komiteti për mbledhjen e fondeve të zotit Obama, nuk është akuzuar për shkelje ligji, dhe komisioni ka bashkëpunuar plotësisht me hetimet.

Askush në komitetin e përbashkët për mbledhjen e fondeve nuk ka qenë i akuzuar për ndonjë keqbërje dhe komisioni ka bashkëpunuar plotësisht në hetim”, tha Zyra e Prokurorit të SHBA në një deklaratë.

Sipas Aktit Federal të fushatës zgjedhore, asnjë shtetas i huaj nuk mund të dhurojë ose të shpenzojë para në lidhje me çdo zgjedhje lokale, shtetërore apo federale në SHBA.

Përjashtimi i vetëm është nëse personi ka një kartë të gjelbër dhe vendbanim të përhershëm në vend. Ndërsa hetimi në SHBA po vijon, historia vazhdon të rrisë temperaturat në politikën shqiptare.

Nuk ka sot shqiptar që beson që Rama nuk ka frikë nga gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur,” tha kreu i PD-së Lulzim Basha në një postim në faqen e tij në Facebook.

Prokurorët në Shqipëri kanë kohë deri në fund të korrikut për të bërë një hetim ndaj Ramës, sipas “BalkanInsight.com”.

Albi Serani, zëdhënës i Prokurorit të Përgjithshëm, i tha uebsajtit të lajmeve që sipas procedurave standarde, duhet rreth një muaj kohë për të verifikuar këto ankesa.

“Gjatë kësaj kohe, prokurorët duhet të vendosin nëse ka ndonjë tregues për një element kriminal dhe për këtë çështje, më pas ata do të hapin hetim, ose vetëm do refuzojnë padinë”, tha ai.

Artikulli u shkrua nga reporteri i “FoxNews”, Perry Chiaramonte.