Një ditë pas arrestimit të Nuredin Dumanit, dera e apartamentit ku fshihej, ruhet ende me dy policë dhe është i rrethuar me shiritat e zonës së krimit. Arrestimi i Dumanit në mes të natës nga forca të shumta të policisë, ka tmerruar banorët e pallatit, të cilët shprehen se ishin në gjumë në momentin kur dëgjuan ulërima “hapni derën, policia”.
Ata thonë se nuk e dinin se kush ishte dhe se banesa ishte marrë me qira para një jave.

“Unë tani e mora vesh, nuk dimë gjë fare. I gjithë pallati ishte në terror. Pallati është i banuar me qiraxhinj dhe familjarë. Hapni derën jemi polici bërtisnin, gjuanin derën me shkelma.

Sipas deklaratave të fqinjëve, Dumani kishte pak kohë që ishte vendosur në apartament. Një banore për kamerat ka shpjeguar edhe një bisedë që kishte me Dumanin të cilit i kishte shkuar në banesë dhe i kishte kërkuar të mos bënte zhurmë.

“Ata rrinin me qira në fakt. U trokita para 3 ditëve, mos më bëni zhurmë u thashë se jam me tension nuk duroj dot. Na fal, na thanë. Ai që doli ishte rreth 45 vjeç. Pastaj më erdhi për së dyti e më trokiti mua. Unë thashë po ky pse më trokiti prapë? Tha, dëgjo nuk jam unë që bëj zhurmë, është ai lart tha. Epo mirë na fal i thashë unë, që të bezdisa”, tregon një banore e këtij pallati.

Nuredin Dumani pas shkëmbimit të zjarrit, ku mbeti i plagosur në mjetin e tij tip BMW në Papër të Elbasanit, iku për t’u fshehur në një pallat 8-katësh në Lagjen Apollonia në Fier.

Ai fshihej në një banesë në katin e 4, ndërsa u arrestua nga policia.