Policia italiane ka arrestuar për shpërndarje kokaine një shqiptar me inicialet D.X., 33 vjeç i papunë dhe me precedentë penale, i njohur si Tani shqiptari.

33-vjeçari ishte aktiv në shumë grupe Whatsapp, mes të cilave kishte siguruar një rrjet të mirë nga ku paralajmërohej për praninë e forcave të policisë në zonat ku vepronte. Por duket se kjo nuk i mjaftoi, pasi u zbulua nga spiunimi i fqinjëve.

Policia u sinjalizua nga fqinjët që ankoheshin për lëvizjet e shpeshta orë e pa orë të shqiptarit, edhe gjatë natës dhe takimeve me shumë njerëz, meshkuj e femra, të cilët më pas u zbulua se ishin klientë të tij.

Ai ecte kryesisht me bicikletë, ose në këmbë dhe gjithnjë në afërsi të argjinaturës së Port Channel, gati për shkatërrimin e drogës në rast se policia e pikaste dhe e kontrollonte.

Natën e kaluar, policia e ruajti dhe e kapi mat teksa ai zbriti dhe takoi një grua që po e priste në makinën e ndaluar buzë rruge. Në vend iu kap doza e drogës që i dorëzoi gruas, e cila rrëfeu për policinë se ishte kliente.