*Përshtypjet e fqinjëve, shokëve dhe shoqeve të klasës. Historia e familjes Shyti
Studentët e Ekonomikut nuk e besojnë që Klea nuk do të jetë më, siç u shprehën vetë, ndërsa nuk arrijnë të kuptojnë sesi një lidhje dashurie mund të shkaktonte një traumë të tillë te një studente e shkëlqyer, siç e cilësuan. “Klea ishte shembulli i perfeksionit në studim, rregullit dhe largpamësisë, por fatkeqësisht atë e mposhti zemra”, thotë për gazetën “Shqip” një vajzë 20 vjeçe, shoqe e klasës. Ndërkaq, një student shprehet se “të gjithë kemi pasur histori ndarjeje. Unë nuk e di saktësisht se si i kishte punët Klea, por mesa dëgjuam ajo nuk e pranonte ndarjen nga njeriu që e dashuronte shumë”. Ndërkaq, në një njoftim të shkurtër në rrjetin social “Facebook”, Dekanati i Fakultetit të Ekonomikut kishte postuar fjalët: “Me hidhërim të thellë i japim lamtumirën e fundit sot studentes sonë ekselente, Klea Shyti, e cila u nda nga jeta krejt papritur. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së saj!”. Postimi vijon me dhjetëra ngushëllime nga të njohur të së ndjerës.
Ndërkaq, fqinjët e lagjes ku banonte vajza shprehën respekt të thellë për të personalisht. “Sa herë vinte këtu më përshëndeste. E kishim bukuroshen dhe të zgjuarën e lagjes”, thotë një shitës aty pranë. Nga ana tjetër, disa gra (edhe ato shitëse) pëshpëritnin për një lidhje të dëgjuar dashurie, por siç thanë, s’kishin gjë të sigurt.
Nuk mund të përfundohej hyrja brenda vendit ku vajtohej, për shkak të ulërimave therëse të motrës së vogël 16-vjeçare dhe ofshamave të nënës (sekretare në Prokurorinë e Tiranës). Gjyshërit gjithashtu i kishte kapluar pikëllimi, ashtu si edhe të afërmve të tjerë. Babai i Kleas ndodhej jashtë shtetit, që pas ndarjes me nënën e saj. Me origjinë nga Fieri, familja Shyti kishte ardhur prej shumë vitesh në Tiranë, ku fillimisht jetonin me qira dhe më pas blenë shtëpinë përballë gjimnazit “Partizani”. Sakaq, prindërit e Klea Shytit ishin divorcuar, fakt të cilin, sipas disa banorëve të lagjes, ajo e vuante së tepërmi./Shqip





