DURRËS, 11 mars 2013 – Vrasja e 38 vjeçarit Nik Zef Ndoi mbrëmjen e djeshme duket se ka tronditur banorët e zonës së Spitallës, të cilët mëngjesin e sotëm diskutonin për krimin e kryer ndaj banorit të lagjes së tyre.

Preng Bushulli, fqinji i personit të ekzekutuar mbrëmjen e ditës së djeshme gjatë një interviste për Agjencinë e Lajmeve "Dyrrah" ka deklaruar se Nik Ndoi ishte njeri i mirë dhe nuk u ka sjellë kurrë shqetësime banorëve të lagjes. Fqinji i viktimës deklaron se ka qenë mbrëmë në shtëpi, kur ka dëgjuar të shtënat dhe menjëherë më pas ka dalë jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur. 

"Dëgjova tre krisma dhe u tremba. Nuk m'u duken gjë e mirë ato të shtëna natën, prandaj dola jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Kur dola jashtë pashë makinën e Nikolinit të dëmtuar nga plumbat dhe atë të plagosur. Njëri nga fqinjët e mori me vete dhe u nis urgjent për në spital, por siç mësuam më vonë ai vdiq rrugës për në spital. Më erdhi keq për çfarë i ndodhi sepse ishte djalë i mirë. Unë e kam komshi dhe e njoh prej kohësh",- thotë Bushulli. 

30 persona janë shoqëruar për vrasjen e Nik Zef Ndoit, por ende nuk ka asnjë të dyshuar për  38-vjeçarin e ekzekutuar mbrëmjen e djeshme në pritë me breshëri Shotgani. 

Burime të policisë së Durrësit bëjnë me dije se vrasja e Ndoit nuk vjen nga një konflikt i momentit. Burime nga grupi i hetimit deklarojnë se vrasja e Nik Ndoit është bërë nga persona që duket se i kanë ruajtur lëvizjet e 38 vjeçarit dhe i kanë zënë pritë ndërsa ai ishte duke u kthyer për në shtëpi. Duket se vrasja ka qenë e paramenduar dhe e mirë organizuar nga personat që e kanë vënë atë në jetë.

Sipas hetuesve të çështjes, viktima ishte person me precedent penal dhe ai ishte dënuar në Itali për vrasjen e një shqiptari, ndaj pistat ku është përqendruar hetimi është e kaluara e tij kriminale dhe konfliktet personale. 

Nikolin Zef Ndoi, u arrestua në gusht të vitit 2003 pas vrasjes së komisarit të Krujës, Gani Malushi dhe shoferit të tij Gjovalin Ndreu. 

VRASJA

Nik Zef Ndoi u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në pritë me breshëri Shotgani. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën informale e quajtur ish-Konservimi ose në lagjen e mirditorëve. Mësohet se 32-vjeçari u qëllua për vdekje pas shpine nga persona ende të paidentifikuar, teksa ishte duke lëvizur me makinën e tij tip "BMW" me targa angleze X234 XPJ. 

Sipas policisë lokale, viktima mund t'i ketë parë autorët e krimit, por nuk ka pasur mundësi që të lëvizte me shpejtësi, pasi rruga ku ndodhej ai ishte shumë e ngushtë (në të dy anët ka vila 3-katëshe) dhe ishte deri në gju me baltë. Duke përfituar nga kjo, autorët e pritës e kanë qëlluar 32-vjeçarin nga pas makinës me breshëri automatiku, duke e bërë shoshë.

NIK ZEF NDOI, I DENUAR SI BASHKEPUNETOR NE VRASJEN E GANI MALUSHIT

Nikolin Prenga njihet si mik i Agim Pepës dhe banesat e tyre janë afër njëra-tjetrës. Nikolin Prenga u vu në pranga në gusht të vitit 2003. Më 14 gusht të atij viti, gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë "Arrest me burg" për akuzën e "Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës". 

Kjo, pasi Ndoi u akuzua se kishte ndihmuar për largimin nga vendi i krimit Agim Pepën, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit të policisë, Gani Malushit dhe shoferit të tij, Gjovalin Ndreu. Pas një maratone gjyqësore gati 1-vjeçare, me vendimin e saj nr.15, datë 25.06.2004, Gjykata e Krimeve të Rënda e cilëson fajtor Ndoin dhe e dënon atë me 2 vjet e 6 muaj burg. 

Gjykata e Apelit, e cila mori në shqyrtim dosjen "Pepa", vendosi të lërë në fuqi vendimin për vrasësin e komisarit, duke e mbyllur atë përjetësisht në qeli, ndërsa për të pandehurin Prenga togat e zeza e prishën vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe e liruan atë nga salla e gjyqit. 

Pasi fitoi pafajësinë, Nik Ndoi nuk hezitoi t'i drejtohet gjykatës për kompensim "për burgimin e padrejtë". Gjykata e Tiranës, pasi e shqyrtoi kërkesën e Prengës, vendosi ta pranojë atë. Në këtë mënyrë, gjyqtari Kreshnik Omari detyroi Ministrinë e Financave ta dëmshpërblejë të dëmtuarin në shumën 1.392.000 lekë, si kompensim për burgim të padrejtë për 464 ditë paraburgim, nga data 14.08.2003 deri në datën 22.11.2004

/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/