Franc Kafka dhe Aleksandër Moisiu qenë bashkëkohës. I pari lindi në vitin 1883, katër vjet pas Moisiut dhe vdiq në vitin 1924, njëmbëdhjetë vjet para aktorit tonë të madh. Siç shihet të dy jetuan në kapërcyell të shekullit të kaluar e të shekullit tonë. Kafka jetoi gjatë në Pragë, qyteti i tij i lindjes. Në atë qytet Moisiu shkoi disa herë për të dhënë shfaqje në teatrin gjerman.

Këto rrethana gjithnjë më ngacmonin dhe më bënin të shpresoj se mbase ata ndonjëherë mund të ishin takuar. E dija se Kafka disa kohë ishte marrë me teatër, duke ndjekur shfaqje të ndryshme dhe nuk ishte e pamundur që ai të kishte parë ndonjë shfaqje me aktorin tonë. Këto ishin dëshira e pandehma dhe të tilla mbetën deri sa më ra në dorë libri “Tagebyher” (Ditarët) i shkrimtarit të madh që ai kishte mbajtur në vitet 1910-1923, pra në periudhën e fundit të jetës së tij.

“Ditarët” janë një vepër e çuditshme dhe e jashtëzakonshme. Mund të thuhet pa droje se nuk e njeh me themel as jetën as veprën e tij pa i lexuar këto ditare. Në to ka një pasuri të jashtëzakonshme mendimesh e përsjatjesh, thwrima veprash gjeniale që ai nuk arriti t’i shkruajë, tregime ëndrrash, vegime fantastike e absurd, të cilat janë dëshmi e çiltër e një shpirti të trazuar, e një makrokozmosi shpirtëror e mendor me përmasa të rralla. Duke shfletuar me radhë fletët e kësaj vepre interesante, mbërrita në faqen e ditarit që mban datën 27 shkurt të vitit 1912.

Ajo nis kështu: “Mbrëmë në orën dhjetë po ecja me hapin tim të trishtuar nëpër Celtnergase. Tek tregtorja e kapelebërësit Hes, një djalosh u ndal tre hapa larg meje dhe më detyroi edhe mua të qëndroj. Ai hoqi kapelen dhe m’u afrua me shpejtësi…”. Më pas shkrimtari rrëfen se djali e ndaloi për t’i kërkuar një këshillë duke shtuar se ai është recitues i zoti dhe kërkon të japë shfaqje. “Në këtë gjë,- vijon Kafka,- ai nuk ia ka frikën askujt. As Moisiut”. Takimi me atë djalë vijon gjatë: Kafka dëgjon ankimet e tij, protestën se në gazetën Tagblat është botuar një artikull që sipas tij, e ka shkruar dikur ai po dikush ia ka grabitur; akuzon redaksinë për plagjiaturë (megjithëse, vë re Kafka, nuk kishte asgjë të përbashkët në mes të dy shkrimeve).

Tipi që përshkruan Kafka është interesant dhe përfaqëson mediokrin klasik që nuk mund të çajë dhe ankohet e proteston pa të drejtë. Nuk do të merremi me tonin sarkastik që përdor Kafka për të vizatuar një tip të tillë, po na intereson përmendja e aktorit tonë. Fjalia për Moisiun dëshmon për emrin e madh që kishte fituar si dhe djali që ndesh Kafka në rrugë: “nuk ia ka frikën askujt. As Moisiut”. Është provë që Moisiu ishte aktor me emër të madh dhe merrej si pikë referimi. Duke vijuar leximin e “Ditareve” vura re me ngashërim se më 2 mars të vitit 1912, Kafka i kushton një faqe e gjysmë A.Moisiut. Është kënaqësi e madhe, e pse jo, edhe nder që Franc Kafka merret gjatë me aktorin tonë, ka qenë i pranishëm në një shfaqje të tij dhe në faqet e “Ditarëve” shpreh mbresat që ajo i ka lënë. 

Siç del nga konteksti është fjala për një shfaqje vetjake të Moisiut, e ndërtuar tërësisht me poezi të autorëve të mëdhenj që nga Shekspiri, Gëtja e të tjerë. Duket syri vrojtues i hollë i shkrimtarit që përshkruan disa veti fizike të aktorit, gjestet e tij të efektshme dhe mjeshtërinë me të cilën ai reciton, përdorimi i zërit etj.

Kafka bën edhe vërejtje, madje në një pikë thotë: “Poezitë e Gëtes nuk janë arritur nga recituesi”, po aty për aty shton: “po ama s’gjen dot asnjë gabim tek recitimet e tia se aty gjithçka ndihmon për t’ia arritur qëllimit”. Ka vrojtime të holla, përcaktime thuajse profesionale të shprehura me një gjuhë të figurshme shkrimtari. Janë shumë interesante fjalët për zërin e aktorit për poezinë “Era e Nëntorit”. Ai nuk e përmend emrin e autorit, po ma do mendja se është fjala për një poezi të poetit të njohur belg Emil Veraren.

Aty-këtu Kafka shpreh edhe rezerva për mjeshtërinë e aktorit, megjithëse e pranon se “për të kishim lexuar artikuj entuziastë” duke pranuar emrin e madh që kishte arritur dhe breroren e lavdisë që qarkonte figurën e tij. Duke mos qenë specialist i mirëfilltë, ai ka mbresa kundërthënëse dhe bën vërejtje që mbase nuk i përgjigjen së vërtetës, por nga ana tjetër kur flet për “Erën e Nëntorit” e pranon se “ai që ngre sytë nga tavani i sallës e ndjen veten të lartësuar nga vargjet.”

Siç del nga konteksti është fjala për një shfaqje vetjake të Moisiut, e ndërtuar tërësisht me poezi të autorëve të mëdhenj që nga Shekspiri, Gëtja e të tjerë. Duket syri vrojtues i hollë i shkrimtarit që përshkruan disa veti fizike të aktorit, gjestet e tij të efektshme dhe mjeshtërinë me të cilën ai reciton, përdorimi i zërit etj

Pasi lexon shkrimin e Kafkës për Moisiun, lind e vetvetishme pyetja: a thua janë takuar ndonjëherë ata? A janë njohur për së afërmi, e kanë biseduar? Është e vështirë ta thuash pas pasur ndonjë dëshmi. Nuk mendoj se duhet përjashtuar kjo mundësi; shkrimin  e tij Kafka e nis me fjalët: “Më 28 shkurt isha tek Moisiu”. Nuk shkruan “tek aktori apo në shfaqjen e aktorit A.Moisiu”, po thjesht: “Isha tek Moisiu”. Kjo mënyrë intime të shprehuri mund të na bëjë të shpresojmë se ata mund të jenë njohur. Për këtë duhet lexuar me kujdes qoftë libri i shkrimtarit e shokut më të afërt të Kafkës, Maks Brodit, qoftë edhe libri i Gustav Janouh “Biseda me Kafkën”.

Duke mbyllur këto shënime themi se shkrimi i Kafkës është me rëndësi të madhe dhe i vyer; ai dëshmon jehonën e madhe që zgjonte arti i Moisiut; për të mund të kishte edhe vërejtje po ai kurrë nuk të linte indiferent. Ky shkrim i bën nder kulturës sonë se është shkruar nga Franc Kafka, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj e të diskutuar të këtij shekulli, autor i pavdekshëm i “Proçesit”.   

Kur Kafka flet për Moisiun

3 mars. Më 28 shkurt isha tek Moisiu. Ka një paraqitje jo të natyrshme. Rrinte ulur dhe në dukje dukej i qetë; vetëm duart i mbante zakonisht të bashkuara përmbi gjunj, sytë ia ngulte librit dhe lëshonte zërin e tij që i ngjasonte atij të një njeriu që është duke vrapuar.

Salla kishte akustikë të mirë. Nuk humbiste asnjë fjalë edhe po të ishte vetëm pëshpërimë! Gjithçka zgjerohej pak nga pak sikur vijonte jehona e zërit e cila bashkohej me të tjera gjëra dhe na mbyllte edhe ne në qarkun e saj. Në këtë rast mund të vësh re mundësitë që ka zëri. Ashtu si salla punon për zërin e Moisiut, ashtu edhe zëri i tij punon për ne. Ka në të artifise vulgare dhe befasime që na detyrojnë të shohim përtokë po ne nuk vepronim në atë mënyrë; kështu ndodhte p.sh. që në vargjet e para “Flej Miriam, vajza ime”; kur zëri endet nëpër melodi; tek shqiptimi i shpejtë i Këngës së Majit, ku ngjasonte sikur në mes të fjalëve ishte futur vetëm maja e gjuhës; tek ndarja e fjalëve tek poezia “Era e nëntorit” në mënyrë që era të shtyhej në fillim poshtë e më pas të vërshënllente lart. Ai ngre sytë nga tavani i sallës e ndjen veten të lartësuar nga vargjet.

Poezitë e Gëtes nuk janë arritur nga recituesi po ama s’gjen dot asnjë gabim tek recitimet e tia dhe aty gjithçka ndikon për t’ia arritur qëllimit. Përftoi efekt të madh kur ai shtoi në program “Këngën e shiut” të Shekspirit dhe brofi në këmbë, u çlirua nga teksti duke nderë dhe tutluar shaminë në mes të duarve dhe nxirrte vetëtima nga sytë. Mollëzat i ka të rrumbullakta po fytyrën eshtake. Flokët i ka të buta dhe i shtron pareshtur me lëvizje të ngadalta të dorës. Për të kishim lexuar artikuj entuziastë; këto i shërbejnë deri sa e dëgjojmë për herë të parë, më pas ai pështjellohet dhe nuk mund të përftoj një mbresë të kulluar.

Mënyra si reciton i ulur me librin përpara të kujton paksa një ventrilok. Artisti, i ftohtë nga ana e jashtme, ulej para meje në mënyrë që thuajse nuk dallojmë dot fytyrën e përkulur, lëvizjet e buzëve dhe në vend që të flasë ai, duket se flasin vargjet përmbi kokën e tij. Megjithëse dëgjoheshin melodi të ndryshme dhe zëri rrëshqiste si një barkë përmbi ujëra, nuk dëgjohesh melodia e vërtetë e vargjeve. Disa fjalë shpërbëheshin nga zëri; ato ishin rrokur në mënyrë të brishtë dhe lulëzonin dhe s’kishin asgjë të përbashkët me zërin e njeriut derisa zëri shqiptonte fort ndonjë bashkëtingëllore të ashpër, e mbështeste fjalën në tokë dhe i jepte fund recitimit.