Seri me polemika dhe sulme janë ato që startuan vetëm pak orë pas sfidës në “Olimpico” ku Lyon, ndonëse u mund, arriti të kualifikohej për në çerekfinalet e Europa League në dëm të Romës. Një polemikë që të paktën për një herë nuk ka të bëjë me vendimet arbitrale, me gola të padhënë apo penallti të pa akorduara. Por, gjithsesi drama e denoncimit është e barabartë, apo mbase edhe më e rëndë, pasi klubi francez ka mirëpritur protestën e tifozëve të tij, të cilët kanë akuzuar policinë italiane për poshtërim në hyrje të stadiumit me kontrolle të turpshme, me shumë prej tyre që ishin detyruar të ulnin poshtë pantallonat dhe me raste edhe mbathjet.
Denoncim i rëndë ai i tifozëve francezë, të cilët nëse do të vërtetoheshin të drejta, atëherë do të nevojitej një ndërhyrje e menjëhershme në drejtim të atyre që kanë udhehequr dhe kryer këto akte të jashtëligjshme, një abuzim me detyrën, duke shfrytëzuar rolin si zyrtar publik. Duke lexuar raportet që vijnë nga Franca realisht duket e vështirë që gjithçka është treguar të jetë fryt i shpifjeve. Flitet për kontrolle në limite të ngacmimit seksual, me prekje gjithandej, pantallona dhe mbathje të ulura poshtë dhe pjesë intime të zbuluara.“Na kanë kontrolluar të paktën tre herë, duke na prekur kudo. Madje na kërkuan të ulnim poshtë pantallonat dhe mbathjet. Ishte poshtëruese. Disa iu desh madje të hapnin b…. Ishte sfilitëse, na lejonin të kalonim në radhë për dy, ose për tre dhe policia shpesh qeshte me ne. E dija që nëse nuk do t’i lejoja të më kontrollonin atëherë do të kisha rrezikuar rëndë. Na futën nëpër autobusë ku bënte një vapë mbytëse, na trajtuan si kafshë”, janë disa nga dëshmitë që media franceze nxitoi të publikonte.