Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrja Ana Bërnabiç kanë folur të enjten, përmes deklaratave të ndara, për një nismë të Francës dhe Gjermanisë e cila mund të zhbllokojë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, mirëpo asnjëri nuk kanë dhënë detaje se për çfarë iniciative konkretisht bëhet fjalë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në një intervistë për agjencinë Reuters tha se pret nga Franca dhe Gjermania apo BE-ja, të bëhen më aktive në procesin negociues ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Unë mendoj se ne do të shohim disa nga nismat e tyre në të ardhmen e afërt,” tha ai, pa dhënë më shumë detaje.

Disa orë më pas edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç foli për këtë nismë të dy vendeve evropiane, duke thënë se ajo ka të bëjë me heqjen e tarifës.

“Heqja e tarifës nga ana e Prishtinës nuk është as në horizont, mirëpo iniciativa franceze dhe gjermane ka të bëjë me heqjen e saj”, tha Bërnabiç për Radio Televizionin e Serbisë.

Ajo nuk dha më shumë detaje lidhur me këtë iniciativë të dy vendeve evropiane. E pyetur nëse kjo nismë ka të bëj me vazhdimin e dialogut apo vetëm me heqjen e tarifës ajo tha se “kjo iniciativë sigurisht shkon drejt heqjes së tarifës, sepse ne e kemi thënë se dialogu nuk do të vazhdojë derisa ajo të hiqet”.

Për të rifilluar dialogun, Serbia kërkon nga Prishtina të heqë tarifën ndaj mallrave serbe të vendosur në nëntor të vitit të kaluar si kundërpërgjigje të asaj që Prishtina e quan fushatë të Serbisë për parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian ka bërë vazhdimisht thirrje për heqjen e saj, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë thënë se taksa nuk është në përputhje me interesat amerikane.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa do të mbetet derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. /REL