Tarifat e reja të vendosura nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, kanë shkaktuar reagime të forta në Europë, veçanërisht nga Franca dhe Spanja. Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë një takimi me liderët e biznesit, i cilësoi këto tarifa si “brutale dhe të pabazuara”, duke shprehur shqetësim për ndikimin e tyre në ekonominë franceze dhe atë europiane në përgjithësi.
Macron theksoi se një kundërpërgjigje nga Bashkimi Europian është e domosdoshme dhe se kontinenti duhet të veprojë i bashkuar ndaj politikave tregtare të Trump. Ai sugjeroi se Franca mund të ndalojë përkohësisht investimet në SHBA derisa situata të qartësohet dhe bëri thirrje që sektori ekonomik francez të mos bëhet viktimë e këtyre tarifave të reja.
Një reagim po aq i ashpër erdhi edhe nga kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, i cili i quajti tarifat e Trump “të paprecedenta” dhe një rikthim në “proteksionizmin e shekullit të 19-të”. Ai njoftoi një paketë mbështetëse prej 14.1 miliardë eurosh për të ndihmuar ekonominë spanjolle të përballojë pasojat e tarifave amerikane.
Sanchez paralajmëroi se Europa ndodhet mes dy krizave të mëdha: një sulmi tregtar nga Perëndimi, për shkak të politikave të Trump, dhe luftës në Ukrainë nga Lindja.
Ndërkohë, edhe Kanadaja ka reaguar ndaj tarifave të reja të Trump, duke vendosur kundërmasa me një taksë 25% mbi automjetet amerikane, si përgjigje ndaj tarifave të imponuara nga SHBA.
Tensionet ekonomike mes Europës dhe administratës së Trump pritet të përshkallëzohen më tej, ndërsa liderët europianë po kërkojnë mënyra për të mbrojtur ekonomitë e tyre nga efektet e politikave proteksioniste amerikane.