7 qershor 2015 – Nëse Shqipëria pritet të grumbullohet këtë të Hënë, Franca prej disa ditësh po vijon përgatitjet për ndeshjen që do të zhvillojë ndaj Kombëtares Kuqezi të Shtunën e 13 Qershorit në Elbasan Arena dhe kjo tregon që “gjelat” nuk do të bëjnë asnjë nënvlerësim për takimin në Shqipëri. Trajneri Didier Deschamps ka patur në dispozicion të gjithë grupin futbollistëve që ka grumbulluar për këtë sfidë me përjashtim të dy lojtarëve të Juventusit Paul Pogba dhe Patrice Evra të cilët ishin të angazhuar në finalen e Championsit dhe do të bashkohen me Kombëtaren e gjelave të Hënën. Si vend organizator Franca është kualifikuar direkt për në Euro 2016, por Les Blues dëshirojnë të bëjnë një paraqitje sa më të mirë në europianin e shtëpisë dhe për këtë fakt janë angazhuar maksimalisht në të gjitha ndeshjet miqësore në mënyrë që të mos jenë të papërgatitur në momentin kur të fillojë kompeticioni. Mungesa e madhe e Francës për sfidën ndaj Shqipërisë do të jetë sulmuesi i Realit të Madridit Karim Benzema i cili nuk është grumbulluar nga Deschamps për arsye dëmtimi.

Kombëtarja e gjelave pritet të udhëtojë drejt Tiranës të Premten, madje stërvitjen një ditë përpara ndeshjes Franca do ta zhvillojë në Qemal Stafa dhe jo në Elbasan Arena. Federata franceze e futbollit pak kohë më i parë i shprehu dëshirën federatës shqiptare që sfida e 13 Qershorit të luhet në stadiumin kombëtar Qemal Stafa, por duke qenë ky impiant nuk i plotëson të gjitha kushtet e kërkuara nga Uefa, takimi u vendos të luhet në Elbasan Arena.

Ajo e kësaj të Shtune do të jetë ndeshja e 6-të mes Francës dhe Shqipërisë me bilancin që anon dukshëm nga 1-herë kampionët e Botës që kanë fituar 4 takime dhe kanë barazuar 1, pikërisht atë të zhvilluar në “Stade De La Route De Lorient”, 14 Nëntorin e kaluar.